Presidenti serb Tadiç viziton sot Kosovën

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, pritet të vizitojë sot Kosovën me rastin e Krishtlindjeve ortodokse që kremtohen të shtunën. Qeveria e Kosovës ka dhënë pëlqimin e saj për këtë vizitë me kushtin që ajo t`i përmbahet karakterit të saj fetar dhe të mos keqpërdoret për deklarime politike. Presidenti serb pritet të qëndrojë në Patrikanën e Pejës në mbrëmjen e sotme, ndërsa të shtunën në mëngjes do të marrë pjesë në ceremoninë fetare në manastirin mesjetar të Deçanit.
Vizita e presidentit serb Boris Tadiç në Kosovë, ndodhë në një periudhë kur serbët në veriun e Kosovës kanë vendosur që të organizojnë një referendum me të cilin qytetarët serb në atë zonë do të deklarohen nëse duan apo jo të pranojnë institucionet e Kosovës.
Përfaqësuesit e serbëve në veri që po vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët në atë zonë në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës, thanë se referendumi do të forconte edhe pozicionin e Serbisë në bisedimet me Kosovën ndërsa u shprehën të habitur me kundërshtimin e pushtetit në Serbi. Por, përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë thanë se referendumi është i panevojshëm duke e cilësuar atë si i vendim politik të opozitës serbe e cila, siç thuhet, me hapa të tillë vetëm sa po synon ta bllokojë rrugën evropiane të Serbisë. Serbia dështoi të marrë muajin e kaluar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës.
Pjesa e dytë e muajit janar pritet të shënojë një periudhë të re bisedimesh ndërmjet të dyja palëve, ndërsa muaji shkurt është paralajmëruar si periudhë e shqyrtimit të sërishëm të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës dhe shkallës së përmbushjes së kritereve për afrim me strukturat e Bashkimit Evropian.