E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti shqiptar uron Papulias me rastin e rizgjedhjes në detyrë

TIRANë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi i dërgoi sot një mesazh urimi zotit Karolos Papulias, më rastin e rizgjedhjes si President i Republikës së Greqisë. Sipas zyrës së shtypit pranë Presidentit, në mesazh Kreu i Shtetit shqiptar shpreh bindjen se "niveli shumë i mirë i marrëdhënieve midis dy vendeve, do të vazhdojë të konsolidohet dhe zhvillohet më tej në të ardhmen". Duke vlerësuar rëndësinë që Shqipëria i kushton bashkëpunimit shumëdimensional me Greqinë, Presidenti Topi veçoi bashkëpunimin si dy vende fqinje si edhe në kuadër të aleancës euroatlantike. Ai shprehu angazhimin maksimal për të nxitur më tej këtë bashkëpunim dypalësh, rajonal e global. Karolos Papulias u rizgjodh dje nga parlamenti njëdhomësh grek për një mandat të dytë 5-vjeçar në postin e presidentit të Republikës greke, për të cilin ishte kandidati i vetëm. Papulias, 80 vjeç, i zgjedhur për herë të parë në shkurt 2005 në postin e presidentit të Republikës së Greqisë me propozimin e të djathtës, në atë kohë në pushtet dhe i mbështetur nga socialistët e PASOK-ut, atëherë në opozitë, është mbi të gjitha një personalitet konsensual i botës politike greke, që gëzon popullaritet të madh në vend. Karolos Papulias, lindur në Janinë, është një kuadër i vjetër i PASOK-ut, bashkëpunëtor shumë i afërt me ish-kryeministrin Andrea Papandreu, (vdekur në vitin 1996) themeluesi i PASOK-ut dhe babai i kryeministrit aktual Jorgo Papandreu. Papulias ka qenë dy herë ministër i Jashtëm në qeveritë e Andrea Papandreut në vitet '80 dhe '90. Ai ka qenë deputet në periudhën 1977-2000. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›