E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti takim me perfaqesues te ish perndjekurve politike

Miratimi sa më parë i ligjit të lustracionit, përshpejtimi i procesit të dëmshpërblimit ishin disa nga çështjet e diskutuara mes Presidentit, Bujar Nishani dhe përfaqësuesve të ish përndjekurve politikë. 

Gjatë ditës së sotme kreu i shtetit priti në një trakim përfaqësues të kësja kategorie të shoqërisë, ku u trajtuan një sërë çështjesh. Veç dy kërkesave të sipërpërmenduara, heqja e titujve të nderit të dhënë nga regjimi diktatorial për persekutorët, trajtimi më me dashamirësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore për punësimin e të përndjekurve politikë dhe familjarëve të tyre si dhe kthimi apo kompensimi i pronës me përparësi për këtë kategori, iu parashtruan si shqetësime Presidentit. Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e të përndjekurve politikë për vendin dhe u shpreh i gatshëm për të pritur dhe dëgjuar zërin e tyre sa herë që të paraqitet nevoja, duke theksuar se dëshiron që kjo pjesë e shoqërisë sonë të jetë më aktive në jetën e vendit.
Njëkohësisht, një prej çështjeve të diskutuara ishte dhe ngritja e një muzeu në Tiranë kushtuar qëndresës ndaj diktaturës, rigjenerimi atje ku është e mundur i burgjeve dhe kampeve të internimit, në mënyrë që ato të mbeten dëshmi kujtese e të kaluarës së hidhur.
Duke nënvizuar se sa më të bashkuar të jenë të përndjekurit me njëri-tjetrin aq më i fortë bëhet zëri i tyre në shoqëri, kreu i shtetit ofroi gatishmërinë dhe vullnetin institucional për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve të ngritura nga të përndjekurit politikë, duke nxitur institucionet e shtetit dhe shoqërinë civile.
Presidenti Nishani mirëpriti idenë për kryerjen e veprimtarive, të cilat do të ndihmonin për të mbajtur gjallë kujtesën e qëndresës antidiktatoriale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›