Qeveria bullgare jep dorëheqjen pas protestave të ashpra për çmimin e energjisë
Lajmi është bërë me dije nga vetë kryeministri Boiko Borisov
Qeveria bullgare jep dorëheqjen pas protestave masive kundër çmimeve të larta të energjisë elektrike dhe masave shtrënguese. Lajmi është bërë me dije nga vetë kryeministri Boiko Borisov.
“Nuk mund të jem pjesë e një qeverie, ku policia godet njerëzit”, tha Borisov në parlament. Më herët kryeministri u bëri thirrje protestuesve për qetësi me premtim se do të rishikojë çmimet e energjisë. Ai po ashtu u zotua se do të ndëshkohen kompanitë e huaja, të cilat kanë marrë nën administrim rrjetin e energjisë në vend. Rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike në Bullgari administrohet nga kompania çeke CEZ, e cila ka rezultuar jo e suksesshme edhe në këtë vend.
Protestuesit gjatë disa ditë protestash kërkuan dorëheqjen e kryeministrit. “Boiko Borisov dhe grupi i tij duhet të largohen tani, askush nuk e do dhe askush nuk i beson, dorëheqje”
“Edhe për sa kohe duhet ta durojmë këtë. Le të zgjohemi dhe të jemi bullgarë të vërtetë. Rroftë nëna Bullgari”.
Por protestat gjatë së martës degjeneruan në përleshje mes protestuesve dhe forcave të policisë, sipas medieve vendase 11 persona janë arrestuar.
Protestat, të cilat janë zhvilluar edhe në të paktën katër qytete të tjera, kanë qenë më të mëdhatë në 15 vjet dhe kanë ndodhur vetëm pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të korrikut.
Borisov ka shkarkuar ministrin e Financave të hënën dhe ka thënë se do të revokojë edhe licencën e kompanisë çeke për shpërndarjen e energjisë elektrike.