Xhaferraj, 20 mijë euro hua nga motra
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka deklaruar pranë Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive marrjen e një huaje prej 20 mijë euro nga motra e tij. Gjatë vitit 2009, deputeti i qarkut të Durrësit ka shlyer 20 mijë euro për një objekt të përfunduar ndërtimi, me sipërfaqe 80 m2. Xhaferraj posedon një kartë krediti me 1500 euro dhe deri më 31 dhjetor 2009 ka pasur gjendje cash në shtëpi, 160 mijë lekë të reja. Në pjesën e të ardhurave, ai ka deklaruar pagën e tij si deputet për periudhën janar- shtator 2009, në shumën 1.04 milionë lekë, pagën si ministër për tre muaj e gjysmë, 469 mijë lekë të reja, dieta rreth 363 mijë lekë, si dhe pagesa për pjesëmarrjen në komisione në shumën 37 mijë lekë. Ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar të ardhura 1.6 milionë lekë të reja nga një klinikë dentare. Ministri i Kulturës posedon një apartament në Tiranë, të cilin e ka dhënë me qira për pesë muaj dhe ka përfituar 1750 euro (350 euro në muaj), si dhe një garazh i dhënë me qira për dyqan, nga i cili merr 300 mijë lekë të reja në vit. Vitin e kaluar ai ka paguar 210 mijë lekë kredi në ish Bankën e Kursimeve, si dhe 10 mijë euro pranë NBG-së, ndërkohë që ka shpenzuar edhe 250 mijë lekë të reja për shkollimin e vajzës në kolegjin turk.