E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidentja Jahjaga homazhe para varrit të Rugovës

PRISHTINË- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vizitoi sot familjen Rugova dhe bëri homazhe para varrit të Presidentit Rugova në lagjen Velania, në përvjetorin e gjashtë të vdekjes së Presidentit Historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Në një bashkëbisedim me familjen, Presidentja Jahjaga tha se, "vlerat e Presidentit Rugova kanë qenë dhe do të jenë edhe në të ardhmen një udhërrëfyes i mirë për të gjitha gjeneratat e vendit tonë".

Këto vlera, tha ajo, janë një udhërrëfyes i mirë për të gjithë ne, që të punojmë në të mirë dhe në interes të vendit dhe të popullit tonë. Duke nderuar veprën e Presidentit të Parë, Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova, nderojmë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë.
"Ndjejmë të gjithë dhimbje që Presidenti dr. Ibrahim Rugova nuk gjendet fizikisht në mesin tonë. Ai gjithmonë ka qenë një njeri që ka rrezatuar mençuri, mirësi dhe optimizëm. Kosova dhe populli i saj gjithmonë do ta kujtojë vizionarin dhe udhëheqësin tonë, i cili, gjithnjë, me durimin dhe me përkushtimin e tij dhe me rrugën e proceseve demokratike për vendin e popullin tonë, trazoi rrugën për liri, demokraci dhe pavarësi", tha Presidentja Jahjaga.
Presidenti Rugova, u shpreh ajo, e trasoi rrugën e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Po ashtu, e trasoi rrugën që Kosova të jetë vend i anëtar i BE dhe i NATO-s, me një miqësi të përhershme me SHBA-të.

Pas vizitës në familje, Presidentja Jahjaga bëri homazhe para varrit të Presidentit Rugova, në lagjen "Velania", në Prishtinë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›