E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presion i madh

Bayern Munich është në kamp stërvitur në Dubai, ku zhvillon përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit. Pas një fillimi të ngadalshëm të sezonit, gjiganti bavarez ka rikthyer formën e zakonshme para pushimit dimëror dhe është ngritur në pozitën e tretë në Bundesligë, me vetëm dy pikë më pak se lideri Bayer Leverkusen, pas 17 xhirove.

Ata po ashtu kanë arritur të kualifikohen për në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, edhe pse gjendeshin në pozitë të vështirë. Fitorja historike 4-1 ndaj Juventusit në Torino ua siguroi atyre kalimin në rrethin e dytë të garës, ku do të takohen me një tjetër ekip italian, Fiorentinën. Derisa përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit tashmë kanë hyrë në fazë të avancuar, mesfushori Arjen Robben është optimist për gjysmën e ardhshme të vitit.

“Jemi në rrugë të mirë dhe si ekip ne e dimë se çka kërkon trajneri nga ne”, tha Robben për magazinën sportive gjermane, Kicker. “Ne jemi përmirësuar, por ende nuk jemi në rang me klubet më të mira evropiane”, shtoi ai. Bayern takohet me Fiorentinën në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve dhe Robben është i vetëdijshëm se të gjithë presin që gjiganti bavarez të kalojë në çerekfinale. “Ne duhet ta kalojmë Fiorentinën, por nuk duhet t’i nënçmojmë ata. Presioni është edhe më i madh”, u shpreh ai.

25-vjeçari ishte i qartë sa u përket objektivave të tij personale. “Dua të luaj në çdo ndeshje”, tha Robben, i cili në Bayern u transferua gjatë verës së vitit të kaluar nga Real Madridi, por vuajti nga lëndime të ndryshme.

Reprezentuesi holandez shpreson që ylli francez, mesfushori Franck Ribery po ashtu të rikuperohet nga lëndimi. “Shpresoj të luajmë përsëri së bashku. Franck është futbollist i shkëlqyeshëm”, theksoi Robben. Ka lajme të mira për Riberyn: mesfushori i Trekolorëve, i cili mungoi në seancën e kaluar stërvitore për shkak të një lëndimi në një gisht të këmbës, është kthyer në fushë dhe ka filluar të punojë rreth riaftësimit.

“Ai ka vuajtur pak nga lëndimi, por më e keqja ka kaluar”, ka thënë trajneri i Bayernit, Louis van Gaal, i cili shpreson të ketë në dispozicion Riberyn, kur Bundesliga vazhdon më 15 janar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›