E Hënë, 2 Nëntor 2026

Asnjë shqiptar ambasador i Kulturës së Maqedonisë

Ministria e Kulturës vazhdon diskriminimin e hapur të kulturës shqiptare, edhe rreth emërimeve të ambasadorëve të nderit për promovimin e kulturës së Maqedonisë jashtë vendit.

Me këto tituj, ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska ka nderuar emra të njohur të artistëve dhe personaliteteve të kulturës dhe artit maqedonas, ndërsa nuk figuron asnjë emër shqiptarë. Në faqen zyrtare të Ministrisë theksohet se këta ambasadorë të caktuar kanë mision frytëdhënës dhe patriotik për promovimin e kulturës maqedonase para opinionit botëror.

Ndër emrat e caktuar janë: regjisori Ivo Trajkov në Pragë, Milço Mançevski në Nju Jork, akademiku Goran Stefanovski në Londër, Zafir Haxhimanov në Beograd, Elena Misirkova në Vienë, regjisori Ivan Popovski në Moskë, Snezhana Panovska në Kuala Lumpur të Malezisë, këngëtari Vllado Janevski në Zagreb dhe Bllagoj Nacovski në Romë. Artistë dhe personalitete të artit shqiptarë theksojnë se për këtë diskriminim të hapur dhe jotolerancë institucionale ndaj kulturës dhe vlerave artistike shqiptare në Maqedoni duhet të japin llogari përfaqësuesit shqiptarë në Qeverinë aktuale.

Nga Ministria e Arsimit kanë dhënë arsyetime për t`i ikur përgjegjësisë dhe mosdhënies së përgjigjes së nevojshme për të sqaruar këto emërime, me të cilat diskriminohet hapur kultura dhe personalitetet kulturore dhe artistike shqiptare. (ina/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›