Presioni i PS-së: Gati kallëzimin penal për drejtuesit e MB-së
Përshkallëzohet konflikti mes partisë më të madhe në opozitë dhe qeverisë, për shkak të kartave të identitetit. Pas letrave të njëpasnjëshme në drejtim të Ministrisë së Brendshme, PS ka vendosur që të bëjë kallëzim penal ndaj drejtuesve të lartë të Ministrisë së Brendshme, ku nuk përjashtohet ministri Bujar Nishani dhe zv.ministri që merret direkt me këtë proces, Ferdinand Poni. Kallëzimi penal ka qenë në fakt një mjet presioni i artikuluar dje nga PS, ndërkohë që ky hap nuk është marrë konkretisht. PS po tenton të ndërmarrë këtë hap, duke pretenduar se ka falsifikim të të dhënave të dërguara nga kjo ministri në drejtim të selisë rozë. Sekretari i kësaj selie, Kastriot Islami, tha dje para mediave se “bazuar në një analizë paraprake të të dhënave zyrtare në këto katër disqe, me të cilat është mjaftuar Ministria e Brendshme, mund të themi paraprakisht: mjaftojnë kundërshtitë dhe faktet e nxjerra nga analiza e vetë informacionit që kemi marrë nga Ministria e Brendshme për të ngritur hipotezën e akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të të dhënave zyrtare përmes dhënies së informacionit të rremë për qëllime që bien ndesh me ligjin”. Sipas tij, informacionet e MB-së bien ndesh me njëra-tjetrën, pasi shfaqen të ndryshme nga njëri disk tek tjetri. Më konkretisht, ai sqaroi akuzën e tij. “Shifra zyrtare prej 730 mijë votuesish pa pasaportë mbi të cilën Ministria e Brendshme ka këmbëngulur, rezulton e pavërtetë dhe e zvogëluar ndjeshëm. Numri i personave që kanë aplikuar rezulton kontradiktor dhe ndryshon nga njëri disk në tjetrin, duke nxjerrë për votuesit pa pasaportë një shifër të zmadhuar në kundërshti me të dhënat e përgjithshme dhe shifrat e dhëna në dinamikë”, - tha Islami. Ndërkaq PS vazhdon të këmbëngulë në një kërkesë tjetër për listën e shtetasve me pasaportë dhe për listën e gjithë aplikantëve të deritanishëm për karta identiteti. Ai tha se janë ekspertët e kualifikuar ata që po gjejnë kundërshtitë në të dhënat e dërguar nga ministria dhe ndërkohë PSSH po përpilon kallzimin penal për drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brendshme që merren direkt me këtë proces.
Meta, kundër PS-së për kartat
LSI vazhdon të mbajë distancën e saj me PS-në edhe në çështjen e kartave të identitetit, megjithëse të dyja ngrenë shqetësimin për probleme në këtë proces. LSI nuk lë mundësinë pa kritikuar dhe PS-në për këto probleme, duke e akuzuar si bashkëfajtore me partinë në pushtet, të cilat së bashku hartuan dhe miratuan kodin zgjedhor. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha dje se “kanë pasur katër vjet për t’i zgjidhur këto probleme dhe ne prej katër vitesh kemi kërkuar të bëhet Kodi Zgjedhor me standarde evropiane dhe të zgjidhet edhe problemi i kartave. Duhet gjetur çdo zgjidhje këto ditë që më 28 qershor qytetarët të shkojnë dhe të marrin pjesë në votime. Nuk duhet të synojë asnjëra palë të sajojë sebepe, për të prishur zgjedhjet dhe as Sali Berisha nuk duhet ta zgjasë dorën drejt qendrave të votimit më 28 qershor”. Ndërkaq ai ka bërë të ditur se LSI që në janar u ka kërkuar këtyre dy partive që të gjejnë një zgjidhje konsensuale për çështjen e kartave. Ai ka hedhur për herë të parë në publik idenë se mund të shtyhen zgjedhjet për këtë shkak. “Nuk duhet të na turpërojnë që të shtyjmë zgjedhjet, apo t’i dështojnë ato tani që jemi dhe vend anëtar i NATO-s, sepse do të diskreditonim edhe NATO-n, si një aleancë që pranon vende të papërgatitura për demokraci dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj, duhet gjetur çdo zgjidhje për të realizuar standarde sa më të pranueshme më 28 qershor, sepse çdo shtyrja e datës së zgjedhjeve do të ishte një diskreditim i Shqipërisë në planin ndërkombëtar”, - tha Meta.
Meta fton Ramën e Berishën në debat
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka qenë i pari kandidat për Kryeministër në zgjedhjet e 28 qershorit që u ka bërë ftesë dy rivalëve të tij, që të pranojnë një debat publik. Meta mori shkak nga raporti i fundit i USAID-it, mbi pasqyrimin e fushatës nga mediat, ku bëhej e qartë se në disa media ishte i preferuar PD-ja apo PS-ja. “Qytetarët duhet të vlerësojnë dallimet midis forcave të ndryshme politike, argumenteve që ata ballafaqojnë me njëra-tjetrën, gjë që do t’i ndihmonte të gjithë qytetarët për të bërë zgjedhje më të mirë sipas vullnetit të tyre më 28 qershor”, - tha Meta. Në këtë drejtim, ai ka kërkuar që LSI të jetë më e pranishme në pasqyrimin e fushatës elektorale, ndërkohë që KQZ ka përcaktuar tashmë minutazhet për çdo koalicion. “Jam i hapur përpara të gjitha mediave dhe në çdo kohë për të debatuar në mënyrë civile dhe me argumente si me kryetarin e Partisë Demokratike, Kryeministrin në largim, z. Berisha, ashtu dhe me kandidatin për Kryeministër nga Partia Socialiste, z. Rama, lidhur me programin qeverisës për vendin për katër vitet e ardhshme”, - theksoi Meta.