E Diel, 1 Nëntor 2026

PD hap fushatën, Tirana sfidon shiun, mijëra në shesh



Ne mundemi ta fitojmë garën... Më shumë se tingujt e një kënge hit të grupit të njohur gjerman “Modern Talking”, e përzgjedhur nga PD-ja si kolona zanore e fushatës elektorale, është një bindje e plotë dhe mesazh i qartë që shkon tek çdo demokrat i Shqipërisë. Më 28 qershor fitorja u përket vetëm atyre. Mijëra kryeqytetas sfiduan mbrëmë shiun dhe iu bashkëngjitën “Shqipëria po ndryshon”, slogan i cili hapi zyrtarisht fushatën elektorale të PD-së. Nën tingujt e këngës “We can win the race” dhe nën pikat e shiut, PD-ja zhvilloi në sheshin “Skënderbej” një miting madhështor. Mes thirrjeve entuziaste për fitore, lideri demokrat, Sali Berisha, ftoi shqiptarët që më 28 qershor përmes votës së tyre, të rikthejnë me votë lavdinë e 22 marsit të ‘92-shit. “Sot nisim startin e madh për fitoren e dytë”, - deklaroi z. Berisha, i cili në atë moment refuzoi çadrën në tribunën e “Shqipëria po ndryshon”. Kryeqytetasve, të cilët mbanin në duar flamuj kombëtarë, të PD-së, të BE-së, SHBA-së, NATO-s etj., Berisha u premtoi një të ardhme evropiane, teksa i ftoi të votojnë ndryshimin e madh. Pranë bustit të heroit kombëtar, Skënderbeut, ku ishte vendosur një skenë gjigante, Kryeministri Berisha bëri të qartë se Shqipëria evropiane do të jetë e qytetarëve shqiptarë. Me në krah të gjithë kandidatët për deputetë të Tiranës, Kryeministri Sali Berisha kishte si refren të fjalës së tij Tiranën dhe Shqipërinë evropiane, objektivi kryesor i demokratëve për ta realizuar brenda mandatit të radhës qeverisës. Si në çdo qytet të vendit, edhe në Tiranë Kryeministri i shprehu mirënjohjen e thellë qytetarëve për anëtarësimin e vendit në NATO, aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE. Katër vitet që vijnë, theksoi Kryeministri, do të jenë vitet e një projekti madhor për vendin. Berisha foli për vende të reja pune, 160 mijë është synimi i demokratëve për mandatin e ardhshëm. Programi parashikon rritje të pensioneve e pagave, duke e shndërruar Tiranën, siç tha Kryeministri, në kryeqytetin e punës, biznesit, projekteve të mëdha dhe zhvillimit. Nga sheshi “Skënderbej”, Kryeministri ftoi kryeqytetasit, por dhe gjithë shqiptarët të votojnë Partinë Demokratike.

Duke folur përpara njerëzve të shumtë, që iu bashkuan PD-së në sheshin “Skënderbej”, Berisha pohoi se Tirana është drejt rrugës evropiane. Ai përmendi faktin se Tirana sot është kryeqyteti i Shqipërisë, që ka aplikuar për një vend me të drejta të plota në BE, kryeqyteti i vendit me rritjen më të lartë ekonomike në Evropë, kryeqyteti i vendit me rezultatet ndër më të shkëlqyerat për klimën e biznesit. Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë evropiane, - tha më tej kreu i qeverisë, - duke shtuar se "sot ne nisim startin e madh për fitoren e dytë, e cila do të ketë si bazë ëndrrën e madhe evropiane të qytetarëve shqiptarë". Kryeministri premtoi se "4 vitet që vijnë janë vitet e projektit tonë të madh, ku qytetarët shqiptarë njëlloj si ata të vendeve të tjera evropiane do të kenë rrugët dhe autostradat të standardeve më të mira". "Shqipëria evropiane do të ketë 24 orë ujë në mbarë vendin, me shkollat më të mira, me shërbimin shëndetësor të denjë për qytetarët evropianë. Tirana evropiane do të jetë Tirana e punës, biznesit, progresit, zhvillimit, pasurimit dhe begatisë", - tha Kryeministri Berisha. Ai premtoi se "në 4 vitet që vijnë, do të krijojë në mbarë Shqipërinë 160 mijë vende të reja pune, ndërsa Tirana do të jetë kryeqyteti i unazës së madhe dhe i korridoreve të saj evropiane". "Në 4 vitet që vijnë, pensionistët shqiptarë do të paguhen edhe më mirë se ata në 6 vendet anëtare të BE-së. Tirana evropiane do të jetë Tirana e lirive dhe e dinjitetit të këtij kombi. Në Tiranë, ku ne e nisëm udhëtimin tonë të lirisë, ne do të shndërrojmë në realitet ëndrrën e saj të bukur, Tirana dhe Shqipëria gati për anëtare në BE", - tha Kryeministri Berisha. Mitingu i organizuar në sheshin "Skënderbej" vijoi më tej me një koncert madhështor, ku merrnin pjesë këngëtarë dhe grupet më të njohura artistike. Mes tyre dhe grupi i famshëm nga Maqedonia, “Elita 5”, që prezantoi dhe këngën e re të PD-së, “Shqipëria po ndryshon”, e pritur mjaft mirë nga numri i madh i njerëzve të mbledhur në sheshin qendror të Tiranës. “Shqipëria po ndryshon” është logo që udhëheq në këtë fushatë për zgjedhjet e 28 qershorit Partinë Demokratike. Logo që shërbeu dhe si lajtmotiv kryesor i këngës, që kjo forcë politike do të përcjellë të gjitha takimet e saj elektorale dhe që u bë publike mbrëmë me hapjen e fushatës në Tiranë.

Bumçi: Ne, jo parti e fasadave, por e ndryshimit

Kryetari i PD-së së Tiranë, Aldo Bumçi, ftoi mbrëmë kryeqytetasit që t’i bashkëngjiten PD-së për një Shqipëri evropiane. Gjatë mitingut madhështor të hapjes së fushatës elektorale të PD-së, Bumçi u bëri atyre të ditur: “Ne jemi forca më e madhe që ndryshon përditë jetën e shqiptarëve”. Kreu i PD-së së Tiranës vuri në dukje: "Ne me reformat e 4 viteve anëtarësuam Shqipërinë në NATO dhe do të bëjmë të mundur që në gjashtëmujorin e parë të mandatit të dytë qeverisës të liberalizojmë vizat për lëvizje të lirë të shqiptarëve në Bashkimin Evropian". Duke u ndalur më tej në sukseset e qeverisjes së djathtë, Bumçi theksoi: "Ne bëmë të mundur që të ndërtojmë në një kohë rekord korridorin e bashkimit të shqiptarëve, rrugën Durrës-Kukës, dyfishuam pagat dhe pensionet, siguruam energjinë dhe sollëm 5 miliardë euro investime''. ''Ky ekip theksoi, - Bumçi, - e ka emrin PD, që do ta udhëheqë Shqipërinë për katër vitet e ardhshme''. “Ne vijmë sot këtu një ditë pas hapjes së tunelit, korridorit të shqiptarëve rrugën Durrës-Kukës-Kosovë. Vijmë sot këtu pasi ndryshuam cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët shqiptarë, pasi rritëm pagat dhe pensionet, ndërtuam rrugë, ujësjellës dhe shkolla, hapëm vende pune. Vijmë sot këtu si forca më e madhe politike e Shqipërisë, si forca më shpresëdhënëse për të gjithë qytetarët shqiptarë. Partia Demokratike nuk është partia e fasadave, por është forca që ndryshon përditë jetën tonë”, - u shpreh z. Bumçi.

Bulku: Berisha, njeriu më vizionar i Shqipërisë

Aktorja e njohur, Rajmonda Bulku, ndihet mirë që kryeqytetasve nuk u drejton më thirrjen për rrëzimin e bustit të diktatorit komunist, por për t’iu bashkuar Shqipërisë që po ndryshon. Gjatë mitingut të mbrëmshëm të PD-së, kandidatja për deputete në Tiranë, znj. Bulku, e quajti dje Kryeministrin Sali Berisha si njeriun më vizionar të historisë së Shqipërisë. Ndaj ajo kërkoi nga qytetarët shqiptar që nën drejtimin e tij të ecim përpara për ta bërë Shqipërinë, pjesë të familjes evropiane. “Pas kaq vitesh, pas 18 vitesh, sot jam e lumtur sepse sot nuk jam këtu për të rrëzuar monumentin më të madh të komunizmit, por jam këtu për të mbështetur PD-në, për të mbështetur njeriun më vizionar të historisë së Shqipërisë, Sali Berishën, i cili e ka bërë Shqipërinë të zhvilluar si asnjëherë, ta mbështesim të gjithë bashkë për ta bërë Tiranën, për ta bërë Shqipërinë si ajo rrugë madhështore, moderne më e mira në Ballkan. Ta bëjmë Shqipërinë moderne të bashkuar me Evropën”, - tha znj. Rajmonda Bulku.

Teksti i këngës “Shqipëria po ndryshon”

(Kënduar nga Elita 5, Genta Ismajli, Leonora Poloska, Elvana Gjata, Soni Malaj, Çiljeta, Stine dhe Bojken Lako)

Është një thirrje që na zgjon

Është një dorë që na drejton

Është një ritëm që na kërkon,

Shqipëria po ndryshon!

Rruga jonë s'ka kthim,

preke botën i lirë

me ne të gjithë fitojnë,

jehona le te vazhdojë

1-2-3- ooooeeeooo

Një motiv që frymëzon,

Fëmijë e të rritur afron,

Dashuri nga shpirti që buron

Për një Shqipëri që po ndryshon

Ref. Të gjithë bashkë

Është një rrugë që na bashkon,

Është një ëndërr që na fton,

Është e ardhmja që premton,

Është një komb që sot beson

Shqipëria po ndryshon!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›