Zhdukja e 300 mijë eurove, 33 pyetje për organizatën “Mjaft”
Avokati Altin Goxhaj paraqiti 33 pyetje për organizatën “Mjaft” në lidhje me aferën e 300 mijë eurove të fondacionit, që u zhduk. Sipas Goxhajt, këto pyetje nuk kanë marrë përgjigje deri tani, pasi tregojnë korrupsionin në radhët e organizatës. Ai ka kërkuar informacion mbi inicimin e fondit dhe pse ato nuk janë më në qarkullim, sikurse ishte parashikuar në kontratën e “Mjaft”-it. Ai akuzoi edhe një herë se “vëllai i Erion Velisë ka përfituar grantin maksimal që parashikonte të jepte ky fondacion në bazë të projektit të kreditimit të biznesit rinor”, ndërkohë që kërkoi informacion nëse Arbër Veliaj kishte licencë për aktivitetin e tij, duke hedhur dyshime për evazion fiskal nga ana e Erion Veliajt. “Përse Fondacioni “Mjaft” është deklaruar nga drejtues të Lëvizjes “Mjaft” i mbyllur, ndërkohë që në faqen e website-t të Lëvizjes “Mjaft”, prezantohet Antuen Skënderi si përfaqësues e këtij fondacioni që nga viti 2007 e deri tani?”, – thotë Altin Goxhaj. Më tej, ai ka deklaruar se ky fondacion ka vepruar në metodën e firmave piramidale, pasi ka shpërndarë kredi, në një kohë kur legjislacioni shqiptar ndalon çdo lloj kreditimi nga institucione që nuk mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë. “Përse Fondacioni “Mjaft” ka fshirë faqen e veta online (duhej të ishte aktiv në faqen www.mjaftfoundation.org) dhe sidomos trashëgiminë, donatorët, projektet, personat përgjegjës dhe anëtarët e bordit?”, – deklaron Goxhaj. Ai ka kërkuar që të bëhet transparente veprimtaria e fondacionit, së bashku me financimet e saj dhe raportet, duke deklaruar se nuk është kryer edhe mbyllja e fondacionit në gjykatë. “Sa është sasia e parave që duhej të ishin ricikluar, duke shtuar përqindjet e mikrokredive rinore, duke ua shpërndarë vazhdimisht të rinjve shqiptarë. Sa është përqindja që mungon dhe kush i disponon këto para sot?”, - pyet Goxhaj. Ndërkohë, Goxhaj ka ripërsëritur akuzat për “transferimin” e 300 mijë eurove në bizneset e Arbër Veliajt, Arbian Maznikut dhe Endri Fugës. Goxhaj ka deklaruar se në Kaliforni është shitur shtëpia që paraqitet si adresa në llogarinë bankare të “Mjaft” në SHBA, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi qarkullimin e parave. “Sa është vlera materiale e aseteve të zyrës së fondacionit “Mjaft” dhe ku ndodhen ato? A ka materiale dhe pajisje që sot ndodhen pranë zyrave të G99?”, – pyet Goxhaj, duke kërkuar informacion edhe për projektin “Unë punoj” një projekt i fondacionit “Mjaft”, duke kërkuar se çfarë lidhjeje ka biznesi “Mozaik” sh.p.k. që përdoret nga G99 për dhurimet financiare online? Deri tani, Erion Veliaj nuk i është përgjigjur asnjë prej këtyre akuzave.