Presidenti Topi: Jo fushatë me fëmijë
Kreu i shtetit takon përfaqësuesit e Parlamentit Rinor: "Fushata zgjedhore duhet të zhvillohet në respekt të rregullave etike"
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shprehet kundër mbushjes së sallave të mitingjeve elektorale të partive politike me të mitur nën moshën 18 vjeç.
Gjatë një takimi të zhvilluar dje, me rastin e 1 Qershorit, me përfaqësues të Parlamentit Rinor, kreu i shtetit i quajti të drejta shqetësimet e paraqitura nga këta të fundit për përdorimin e fëmijëve në fushata elektorale dhe i inkurajoi që të jenë aktivë në debatin publik për të shprehur hapur mendimet e tyre.
Sipas përfaqësuesve të Parlamentit Rinor, përdorimi i fëmijëve në fushata dëmton procesin arsimor dhe edukues të të miturve, pasi i shkëput nga mësimi, si dhe përdoret imazhi i tyre për qëllime elektorale të partive politike në Shqipëri.
Sipas përfaqësuesve të Parlamentit Rinor, ky lloj angazhimi bie ndesh jo vetëm me normat morale e etike, por edhe me frymën e Konventës së të Drejtave të Fëmijës.
Fenomeni i përdorimit të imazhit të fëmijëve gjatë fushatave zgjedhore është denoncuar vazhdimisht nga grupe të ndryshme sociale, ndërsa, shpeshherë, në zona të ndryshme të vendit janë vënë re zbrazje të shkollave për t'i dërguar nxënësit në takimet elektorale të politikanëve të ndryshëm.
Krahas shqetësimit për përdorimin e imazhit të fëmijëve në fushata elektorale, përfaqësuesit e Parlamentit Rinor dhe Presidenti i Republikës ndanë mendimin dhe kërkesën se të rinjtë dhe e ardhmja e tyre duhet të trajtohen si prioritet në programet elektorale të partive politike.
"Respektimi i barazisë gjinore në përfaqësimin në Parlament dhe në fushata zgjedhore duhet të zhvillohet në respekt të rregullave etike e morale", - u shpreh Topi në përfundim të takimit me të rinjtë.