Vendimi, të rriten pagat e 10 mijë policëve
TIRANE- Një gabim i specialistëve të financës në Ministrinë e Brendshme, ka shtyrë miratimin e rritjes së pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Rritja e pagave duhet të kishte kaluar që në fund të muajit prill, kur u krye rritja për të gjitha kategoritë e buxhetorëve dhe rritja duhet të ishte deri në masën 10 për qind.
Lajmi është bërë i ditur për gazetën "Shekulli", nga burime të dikasterit përkatës, si dhe nga zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, burimet e Kryeministrisë pohuan se gjithçka është gati dhe rritja e pagave do të kryhet shumë shpejt, pasi pengesa e vetme ishte moskorrektësia e tabelës së vjetër.
Javën e kaluar, në Ministrinë e Brendshme dhe në Policinë e Shtetit ka mbërritur një shkresë nga Kryeministria, me anë të së cilës i kërkohej financës së këtyre institucioneve që rritja e pagës për efektivët e policisë të mos zbatohej për një periudhë kohore.
Një ngjarje e tillë mësohet se ka ndodhur për shkak të një gabimi që kishte një nga tabelat e pagave për efektivët blu në Kryeministri.
Kjo ka bërë që policia të mos marrë rritjen e menjëhershme të pagave në të njëjtën kohë me punonjës të tjerë të administratës shtetërore, si dhe Garda e Republikës dhe SHKB-ja, që u është rritur paga nga qeveria rreth një muaj e gjysmë më parë.
Propozimi për rritjen e pagave është kryer nga specialistët e Ministrisë së Brendshmen dhe në prill janë dërguar tabelat e pagave në Departamentit të Administratës Publike (DAP), me qëllim që kjo e fundit të jepte mendimin e saj dhe më pas tabela të dërgohej në qeveri për miratim.
Pas shqyrtimit të saj, projekti për rritjen e pagave është pranuar nga DAP-i dhe më pas është nisur në qeveri.
Por, ditën e mbledhjes së qeverisë, kur do të merrej edhe vendimi, drejtuesit e DAP-it, kanë kërkuar rikthimin e projektit për rritjen e pagave të policisë, në Ministrinë e Brendshme, për shkak të disa gabimeve të vërejtura prej këtyre të fundit.
Për këtë shkak, rreth dhjetë ditë më parë, qeveria ka kthyer me kërkesë të DAP-it propozimin për rritjen e pagave të punonjësve të policisë, me qëllim korrigjimin e tabelës së dërguar në qeveri me tabelën e duhur që duhej të kishte mbërritur.
Ndërkaq, mësohet se tabela është korrigjuar dhe pritet të mbërrijë në qeveri për t'u miratuar në një vendim përkatës të saj.
Ndërkaq, rritja e pagave të policisë, që ishte parashikuar të hynte në fuqi në muajin maj, pritet të hyjë në fuqi në një nga mbledhjet e afërta të Këshillit të Ministrave që pritet të miratojë me një vendim të posaçëm rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Pavarësisht faktit se rritja nuk është kryer në të njëjtën kohë me rritjen e pagave të Gardës së Republikës, SHKB-së dhe sektorëve të tjerë, mësohet se efektivët blu pritet ta përfitojnë pagën për të njëjtën kohë.
Sipas zyrtarëve të policisë, rritja pritet të jetë në masën mesatare prej 10 për qind.
Të njëjtat burime pohojnë se shpërndarja e rritjes së pagave do të ketë si qëllim balancimin e tyre, nga ata që e kanë më të ulët tek ata me pagë më të lartë.
Nga kjo rritje e pagës të përfitojnë më tepër punonjësit me paga më të ulëta dhe më tepër ata me paga më të larta.
Burime të Ministrisë së Brendshme pohuan dje për "Shekulli"-n se efektivët e policisë pritet të marrin rritjen menjëherë pas publikimit të rritjes së pagës në fletoren zyrtare, ndërsa paralelisht me këtë po bëhet gati edhe fondi për disbursimin e kësaj rritjeje.