Rrëzohet vendimi për GNV-të me dy anëtarë të një spektri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mundur të miratojë dje projektudhëzimin shumë të debatuar
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mundur të miratojë dje projektudhëzimin shumë të debatuar që parashikon mënyrën e organizimit të punës së grupeve të numërimit të votave, midis të tjerave edhe funksionimin e tyre edhe me dy anëtarë të një spektri politik.
Opozita ka shfrytëzuar faktin që një udhëzim i tillë kërkonte një votë të cilësuar për të bllokuar vendimmarrjen e KQZ-së, duke rrëzuar udhëzimin në fjalë.
Shkak është bërë mosarritja e një konsensusi paraprak mes dy palëve në debat, socialistëve dhe demokratëve, lidhur me mënyrën sesi do funksionojnë grupet e numërimit në rastet kur dy prej anëtarëve nuk pranojnë të marrin pjesë në proces.
Sipas demokratëve, jo vetëm përfaqësuesit Kosovrasti, por edhe anëtarëve të djathtë të KQZ-së, GNV-të duhet të funksionojnë edhe me dy anëtarë, qofshin këta të një spektri politik.
Por, një gjë të tillë s'e kanë pranuar përfaqësuesit dhe anëtarët e majtë të KQZ-së, të cilët në dy mbledhje radhazi kanë kërkuar që në udhëzim të përcaktohej që GNV-të të funksiononin edhe me dy anëtarë, por kur ata janë përfaqësues të dy forcave të ndryshme politike, ose thënë ndryshe, kur ata janë numëruesi i parë dhe sekretari që në çdo rast i përkasin dy forcave të ndryshme.
Por një kërkesë e tillë është konsideruar e papranueshme nga të djathtët, të cilët kanë theksuar se në këtë mënyrë tentohet të krijohet një mekanizëm bllokues në grupet e numërimit.
Në pamundësi për të gjetur një të mesme të artë, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, është detyruar që ta hedhë këtë vendim në votim, por pa mundur të marrë pesë votat e duhura për të kaluar, pasi dy anëtarët socialistë, Deshira Subashi dhe Artan Lazaj, kanë votuar kundër.
"Këta e kanë ndarë mendjen mos me u fut në zgjedhje dhe ne lodhemi kot për ta miratuar. Po përpiqen që të bllokojnë procesin e numërimit", - tha Ristani pas votimit.
Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme KQZ-ja ka miratuar me forcën e kartonëve vendimin për të përcaktuar një ambient privat për vendosjen e KZAZ-së Nr.41 në Shkodër, pavarësisht se, po dje, Kolegji Zgjedhor e kishte rrëzuar një vendimmarrje të tillë si të padrejtë.