E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Transaksionet e pasurive të paluajtshme, nëpërmjet noterëve, një reformë e jashtëzakonshme

29-02-2012 / Gazeta 55

Më 1 mars, hyn në fuqi Ligji për Noterinë - Flet ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi   


Së shpejti të gjitha transaksionet për pasuritë e paluajtshme do te realizohen në Zyrën e Noterit. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, duke folur për ligjin për shërbimin e Noterisë që po  implementohet së fundi theksoi se, dixhitalizimi i sistemit të Noterisë sjell kthimin e Zyrës së noterit në një One Stop Shop për qytetarët dhe biznesin, çka do të thotë se të gjithë transaksionet për pasuritë e paluajtshme do të bëhen në Zyrën e Noterit. “Dixhitalizimi i sistemit të noterisë me ligjin e ri, sjell kthimin e zyrës së noterit në një One Stop Shop, për qytetarët dhe për biznesin, që do të thotë se të gjitha transaksionet për pasuritë e paluajtshme do të bëhen në zyrën e noterit. Do të futet në sistemin e pasurive të paluajtshme dhe do të përfitojë të gjithë informacionin që e kërkon klienti dhe padyshim do te ketë një shkurtin të procedurave dhe të kohës që një qytetar do të shpenzonte me parë për një veprim të tillë”, u shpreh Halimi. Qytetarët nuk do të presin më në radhë në Zyrat e Regjistrimit te Pasurisë së Paluajtshme (ZRPP) për të marrë një informacion apo për te bëre një transaksion dhe veprim financiar pasi të gjitha këto procese, do te realizohen ne Zyrën e Noterit, brenda një kohe mjaft të shkurtër 2 deri ne 3 ditë nga 25 ditë që ishte më parë. “Qytetarët nuk do të kenë më nevojë të shkojnë me ditë të tëra të presin në radhë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Të gjitha këto procese që kryhen për 25 ditë do të kryhen për 2-3 ditë me një hap të vetëm, që do të jetë zyra e noterit”, tha më tej ministri i Drejtësisë. Ministri Halimi, duke vlerësuar reformën në shërbimin e Noterisë, theksoi se, krijimi i Zyrës One Stop Shop do te jetë një reforme e jashtëzakonshme. Reforma ne këtë shërbim si dhe dixhitalizimi i sistemit të ZRPP do te ketë efekte pozitive pasi  shmang procedurat burokratike.     Sipas ministrit, me këtë ligj do të shmanget edhe burokracia e korrupsioni. “Do të këtë reduktim të shpenzimeve, që qytetarët paguajnë për një shërbim të tillë. Dixhitalizimi sjell uljen e nivelit të korrupsionit dhe burokracive nga shërbimet shtetërore dhe kthimin e besimit të publikut, tek noteri”, tha ministri Halimi. Të dhënat e pasurive do të jenë të sigurta sepse çdo noter do të futet në arkivën elektronike të pasurive të paluajtshme  nëpërmjet  një sistemi të sigurt elektronik që verifikon shenjat të gishtërinjve të tyre. Në çdo verifikim të tillë noteri  do të jetë i pajisur me autorizimin e qytetarit”, sqaroi ministri i Drejtësisë Eduard Halimi . Fillimisht, projekti për krijimin e Zyrës One Stop Shop për Noterët do të shtrihet në qytetin e Durrësit dhe Tiranës e më pas në qytetet e tjera. Ndërkohë, muaji mars do të jetë muaji, kur do të konsolidohen hapat për implementimin e ligjit. Kreu i ministrisë së Drejtësisë Halimi tha se, “gjatë muajit mars do të konsolidohet sistemi i arkivës i ZRPP ose arkiva elektronike, sistemi që do të lidhë zyrën e Noterit me atë të ZRPP si dhe do të fillojë procesi i trajnimit të Noterëve dhe i operatoreve në ZRPP”.     Gjithashtu do të miratohet një set aktesh nënligjore që do të rregullojnë marrëdhënien e re që krijohet midis qytetarëve ose biznesit me Zyrën e Noterit dhe ZRPP, përfshi këtu rishikimin e tarifave që qytetarët do të paguajnë. Ndërsa, do të ketë reduktim të shpenzimeve  të qytetareve për këtë shërbim, tha Halimi. Ligji për shërbimin e noterisë parashikon lehtësira për qytetaret dhe bizneset pasi çdo transaksion me pasuritë e paluajtshme realizohet nëpërmjet noterëve. Sipas ligjit, noteri, me kërkesë të qytetarit të interesuar, futet on-line në sistemin e ZRPP, duke marrë brenda një kohe te shkurtër informacionin e nevojshëm për klientin.     Ndërsa, autoritetet japin siguri të plotë për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›