E Shtunë, 31 Tetor 2026

Behrami, i lumtur në Firenze

Nga Express më 24 shkurt 2011 në ora 10:42

Valon Behrami po i arsyeton paratë që shpenzoi Fiorentina për të në janar, kur e transferoi nga West Ham United. Mesfushori kosovar po shfaq paraqitje pozitive në ekipin e trajnerit Sinisa Mihajlovic, i cili në ditët e kaluara nuk i ka kursyer lëvdatat për përfaqësuesin zviceran. Edhe vetë 25 vjeçari ndihet i lumtur që u kthye në futbollin italian.

“Kam ardhur në Fiorentinë me entuziazëm të madh, me dëshirën për të kontribuuar dhe të përshtatem menjëherë në grupin e lojtarëve. Rezultatet ishin të mira, sepse i fitua menjëherë disa ndeshje. Kam dëshirë të madhe ta ndihmoj këtë ekip dhe ndiej përgjegjësi, pasi dua t’ia shpaguaj besimin këtij klubi”, deklaroi Behrami në një intervistë për ueb faqen firenzeviola.it.

Futbollisti kosovar shpreson të luajë për vite të tëra në klubin Viola. Ai falënderon njerëzit në Firenze që e ndihmuan të ambientohej shpejt. Sipas Behramit, objektiv i këtij sezoni për Fiorentinën është mbijetesa, të paktën për pozitën në të cilën gjendet.

“Ne duhet të përmirësohemi. Për momentin objektivi është ky, kush flet ndryshe, gabon. E di se është e rëndë të thuhet kjo për një skuadër si Fiorentina, por kështu është”, shtoi ish futbollisti i Lazios.

Behrami premton se do të punojë fort për ta rikthyer formën më të mirë fizike, edhe pse është i kënaqur me atë që po e tregon në fushë. Ai e përsërit faktin se Fiorentina është skuadra më e fortë ku ka luajtur ndonjëherë. Behrami përmend lojtarët e mëdhenj të kësaj skuadre si Gilardino, Montolivo e Mutu, nga të cilët mund të mësojë.

Zhgënjimin e skuadrave italiane në kupat evropiane viteve të fundit Behrami e arsyeton me mungesën e parave të mjaftueshme. Mirëpo, ai është kundër kritikave që bëhen për këtë kampionat, të cilin e konsideron ndër më të mirët në Evropë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›