Lihet në burg kryeplaku i Varfajt
GJIROKASTËR - Kryeplaku i fshatit Varfaj në Delvinë dotë qëndrojë në dhomat e paraburgimit derisa të dalë në seancat për gjykim. Seanca e sotme gjyqësore e zhvilluar në orët e drekës ka dhënë vendimin e pritshëm të “arrestit në burg” për Reshat Ademajn, 50 vjeç, i cili sipas policisë së Gjirokastrës, u kap me 222 kg marijuanë në autokamionçinën e tij në orët e para të së dielës. Ademaj gjatë seancave pyetësore në polici apo dhe në organin e akuzës mohoi se lënda narkotike ishte pronë e tij apo dhe se po pritej prej tij në momentin e mbërritjes. Sipas të dhënave, 50-vjeçari këshilltar në Këshillin Bashkiak të Delvinës, ka mohuar kategorikisht të kishte dijeni rreth sasisë narkotike të gjendur në karrocerinë e autokamionçinës së tij. Sipas tij, malli narkotik i futur në cantat e transportit, është integruar poshtë druve nga persona të panjohur. Prokurorja e çështjes, pas paraqitjes së fakteve, kërkoi vendosjen e masës së arrestit “burg pa afat” për kryeplakun Ademaj. Gjyqtari i seancës ka mbështetur plotësisht argumentet e dhëna nga organi i akuzës duke lënë në burg 50-vjeçarin, mbi të cilin rëndon vepra penale e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Ndërkohë, policia e Gjirokastrës ka deklaruar se është mjaft pranë kapjes së dy personave të tjerë pjesëmarrës në trafikun e 222 kg marijuanë nga Lazarati në Delvinë e mandej drejt Greqisë përmes vijës detare. Burime nga ky organ thanë se tashmë dihet vendndodhja e personave të tjerë pjesëmarrës në trafikun narkotik të së dielës dhe pritet që mjaft shpejt ata të përfundojnë në pranga. Reshat Ademaj u arrestua në orët e mëngjesit të së dielës, pasi u gjet duke transportuar me automjetin e tij 222 kg marijuanë, ndërkohë që dy transportuesit e lëndës narkotike u larguan në drejtim të paditur.