Kontrolli për kanabis, gati kontrata me satelitin
Gjatë konferencës rajonale, kryepolici Burgaj ka pohuar se më mirë do të ishte parandalimi se sa dënimi
SHKODËR “Më mirë parandalim sesa dënim” ka theksuar drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj në konferencën rajonale kundër kultivimit të bimëve narkotike të zhvilluar të hënën në Shkodër. Me tone të ashpra, Burgaj ka premtuar tolerancë zero ndaj çdo punonjësi policie, sektori, komisariati e drejtorie policie, që në këtë fazë nuk do të arrijë rezultatet e pritshme në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, duke synuar parandalimin e mbjelljes së saj. Ai ka kërkuar para së gjithash nga strukturat e policisë, që së bashku me pushtetin vendor dhe aktorë të tjerë, të punojnë në çdo fshat e çdo shtëpi për të bindur njerëzit të mos e mbjellin kanabis sativen”. Janë kryer 82 fluturime ajrore, sepse ndoshta vitet e mëparshme kemi gënjyer veten duke nisur forcat 5-6 orë në këmbë dhe objektivit nuk ja kemi arritur. Jo vetëm monitorimi me helikopter, por jemi në përfundim të procesit të nënshkrimit të kontratës për satelitin, i cili në pjesë të veçanta u përdor dhe vitin e kaluar, ndërsa tani do mbulojë gjithë Shqipërinë. Ndryshe nga një vit më parë, këtë vit në qendër do jetë parandalimi. Për çdo të arrestuar për kultivim bimësh narkotike, përveç dënimit që do i jepet nga gjykata, do të ketë një analizë të hollësishme për atë punonjës policie që nuk ka marrë masat e nevojshme për parandalimin e mbjelljes së bimës narkotike, si ka ardhur ajo nga mbjellja deri në prerje apo asgjësim. Do të analizohen personat përgjegjës, përfshirë dhe ato të pushtetit vendor” ka theksuar Burgaj. Drejtori i ICITAP në Shqipëri, Geri Bollard ka theksuar se bashkëpunimi me komunitetin është sekreti i suksesit në punën e policisë, pasi komuniteti është aktori kryesor. Për kryetarin e Këshillit të Qarkut, Gjovalin Kolombi, kultivimi i bimëve narkotike, lidhet me mungesën e një zhvillimi të plotë që qarkut të Shkodrës, që është një ndër qarqet më të varfër në vend. “Varfëria është ajo që i bën individët të kultivojnë këtë bimë që duket si “fitimprurëse” por që është aq e rrezikshme për fëmijët tanë dhe kulturën tonë”, ka theksuar Kolombi. Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, Andri Imeri ka theksuar se përveç arritjeve vërehen mangësi që lidhen në bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, në zhvillimin e gjykimeve penale. Sipas tij, këto mangësi lidhen me faktin se Policia e Shtetit, nuk varet efektivisht nga gjykata dhe kjo është e pavarur. “Secili gjyqtar ka bindjen e vet në aplikimin e ligjit dhe çmuarjen e provave, ndërsa policia, përmes krijimit të një strukture që të ketë varësi të drejtpërdrejtë nga gjykata, duhet ta ndihmojë atë në kryerjen e njoftimeve për gjykim, që si për çdo vepër tjetër penale, zvarriten dhe kemi të bëjmë me drejtësi të vonuar“. Zëvendësministri i brendshëm Avenir Peka ka përmendur ligjet e miratuara në luftën kundër trafiqeve, ai i antimafias, moratoriumi i skafeve etj.