E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pretenca: Bollano fajtor, 1 vit burg

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Prokuroria e Vlorës i kërkoi dje gjykatës shpalljen fajtor të kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano dhe dënimin e tij me një vit burg dhe 500 mijë lekë gjobë. Sipas akuzës, Bollano është përgjegjës për heqjen e tabelave orientuese në dhjetor të vitit 2007, në aksin nacional Llogara-Qeparo. Si pasojë e heqjes së këtyre tabelave, dëmi i shkaktuar shtetit në bazë të përllogaritjeve të ekspertëve përkatës është 1.8 milionë lekë. Ashtu sikurse edhe në seancat e mëparshme, as dje në gjykatën e shkallës së parë të Vlorës nuk është paraqitur vetë kryebashkiaku i Himarës. Me anë të një prokure, ai është përfaqësuar që në seancat e para që nisën në qershor të vitit të kaluar, nga avokati i tij, Petraq Curri. Bollano u mor i pandehur nga prokuroria pas akuzave të ngritura nga banorët e zonës, por edhe problematikave të pasqyruara në media për heqjen e tabelave sinjalistike. Ai u akuzua nga prokurori i Vlorës, Sokol Malaj, për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Sipas Malajt, Bollano është përgjegjës për urdhrin e dhënë policisë bashkiake për heqjen e tabelave në aksin rrugor Llogara-Qeparo me qëllim zëvendësimin e tyre me tabela në gjuhën greke, por edhe në shqip dhe anglisht. Malaj, gjatë leximit të pretencës, u shpreh se pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe analizimit të provave të vëna në dispozicion, faktohet se Bollano ka vepruar në kundërshtim me ligjin. "Vasil Bollano ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me veprime aktive dhe duket qartë se i pandehuri ka nxjerrë dy urdhra të paligjshëm, ku ngarkonte Policinë Bashkiake të Himarës për çmontimin e sinjalistikës rrugore në aksin Llogora-Qeparo. Urdhëresat e Vasil Bollanos janë në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Rrugor. Në bazë të nenit 2 të Kodit Rrugor janë të përcaktuara dhe të klasifikuara rrugët. Sipas këtij neni, del qartë se rruga Llogara -Qeparo është kombëtare shtetërore. Gjithashtu përcaktohet qartë se urdhëresat për rrugët dhe autostradat shtetërore shpallen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Vasil Bollano me veprimet e tij aktive ka nxjerrë dy urdhra të paligjshëm për çmontimin e sinjalistikës rrugore, duke i sjellë shtetit një dëm prej rreth 1.8 milionë lekë", thuhej në pretencën e djeshme. Prokurori i çështjes i kërkoi trupit gjykues të shohë rrezikshmërinë e kësaj vepre penale, si dhe pasojat e rënda ekonomike dhe dëmet që i janë shkaktuar shtetit dhe shtetasve. Në fund të pretencës, Malaj i kërkoi gjykatës deklarimin fajtor të kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 vit burg, si dhe 500 mijë lekë gjobë. Ligji parashikon dënimin në të tilla raste nga 5 ditë burg deri në 7 vjet burg, si dhe nga 500 mijë deri në 4 milionë lekë gjobë. Gjatë seancave të mëparshme, gjykata mori në pyetje edhe punonjës së tjerë të Bashkisë së Himarës. Ata deklaruan se kishin zbatuar urdhrat e eprorit të tyre për heqjen e tabelave që ishin shkruar në gjuhën shqipe. Bollano pretendoi se tabelat duhej të ishin shkruar edhe në gjuhën greke, për shkak se zona është minoritare. Gjithashtu ai theksoi se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve duhej t'i kishte marrë leje më përpara Bashkisë Himarë, për instalimin e kësaj sinjalistike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›