E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e urisë, përfundon në spital i ngujuari i dytë

 

SHKODER - Përfundon në spital dhe grevisti i dytë, i ngujuar në Shkodër deri në gjetjen e trupave të viktimave të tragjedisë së 9 janarit 2004. Paraditen e djeshme ka shfaqur probleme serioze shëndetësore Ndue Zajeti, duke e bërë të pashmangshme transportimin në spital. Një ditë më parë, Ilir Xhilla pati shqetësime, duke marrë ndihmën mjekësore në spitalin rajonal të Shkodrës. Ndërsa ata po trajtohen në mënyrë intensive nga mjekët e spitalit, dy grevistët e tjerë, Ndoc Bjeshka dhe Mark Grizha kanë vazhduar grevën në ambientet ku ndodhen dhe 4 arkivolët bosh të tyre. Gjatë ditës së djeshme, grevistët janë vizituar nga kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i cili shoqërohej nga drejtues të kësaj partie në Tiranë dhe në Shkodër. Sipas Ndokës edhe pse vetë ai u ka bërë thirrje grevistëve që ta ndërpresin këtë grevë, ata nuk e kanë mirëpritur një kërkesë. Grevistët i janë përgjigjur se deri tani nuk po shohin asnjë reagim nga ana e institucioneve shtetërore në rifillimin e hetimeve për tragjedinë e 9 janarit. Ata i kanë pohuar Ndokës se janë të gatshëm që të vetëflijohen me qëllim që të realizojnë kërkesat e tyre: e para që të gjenden trupat e të zhdukurve në tragjedinë e 9 janarit dhe e dyta që të rinisë gjykimi për organizatorët e ngjarjes që solli 28 viktima. Ditën e djeshme, grevistët shënuan ditën e 11 të hyrjes së tyre në ambientet e ngujimit, duke mos pranuar ta lënë atë nëse shteti nuk reagon. Por, megjithëse deputetët demokratë u pohuan pak ditë më parë se çështja e tyre do të shikohet me përparësi, grevistët kërcënojnë se do të vetëflijohen nëse nuk do të ketë lëvizje konkrete për kërkesat e tyre. Bjeshka, Zajeti, Xhilla dhe Grizha kanë humbur fëmijët ose vëllezërit e motrat në këtë tragjedi të shumëfishtë, për të cilën kërkojnë prej vitesh zbulimin e autorëve që e organizuan. Sipas tyre ka dëshmitarë për vdekjen e njerëzve dhe vendin ku ndodhen trupat e viktimave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›