UET, borde të tregut të punës me BIG-ët e biznesit
Universiteti Europian i Tiranës në bashkëpunim me kompanitë më të mëdha në vend krijon bordet e punës për krijimin e mundësive më të mëdha të të sapodiplomuarve në tregun e punës.
UET, borde të tregut të punës me BIG-ët e biznesit
Suadela Balliu
Të mëdhenjtë e biznesit kanë zbarkuar dje në mbrëmje në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës. Marrëdhënia mes arsimit të lartë dhe tregut të punësimit, përshtatja e programeve të studimit me tregun e punës, gjetja e mënyrave më efikase për të ndikuar në punësimin e studentëve që diplomohen, ishin disa nga temat që u prekën në një takim mes pedagogëve të Universitetit Europian të Tiranës dhe përfaqësuesve të disa prej institucioneve e bizneseve të rëndësishme në vend, si Vodafone, Eagle mobile, Mane TCI, Neptun, Euromax, Fashion Group, Kryqi i Kuq Shqiptar, BKT, Banka Credins, Union Bank, D&M Consulting Service, Asan, Sigal, Eurosig etj.
“Sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri dhe zhvillimet e tij në vitet e fundit kanë sjellë domosdoshmërinë e një bashkëpunimi më të ngushtë dhe institucional midis fushës akademike dhe fushës së punësimit”, u shpreh presidentja e Universitetit Europian të Tiranës, Dr.Teuta Dobi, duke vijuar se, nisur nga specifikat dhe dinamikat e zhvillimit të tregut kombëtar e ndërkombëtar, UET përshtat programet e studimit pikërisht me nevojat e reja dhe imediate të tregut të punës.
Përpos shqetësimeve të të sapodiplomuarve për gjetjen e një vendi pune, problemeve dhe sfidave që po përballet sektori i arsimit të lartë, publik e privat edhe vetë tregu i punës përballet me vështirësitë e tij për të zbatuar teknologji të reja dhe të avancuara, krijimit të vendeve të punës, investimin në rajone dhe zona të reja, mungesën e burimeve njerëzore të specializuara, ndërkombëtarizimi gjithnjë e më i madh i marrëdhënieve të punës.
“Diskutimi universitet - treg i punës është shumë i gjerë, shumë i koklavitur, por janë nga ato probleme ku diskutohet shumë dhe shumë pak gjëra bëhen konkretisht. Ne si UET, kemi vendosur t’i kalojmë në një aksion realisht konkret. Interesi ynë për biznesin, për institucionet, është parësor. Analiza e programeve të studimit, analiza e paraqitjes së studentëve tanë, qoftë në praktika, internship-e, apo në konkurset e punësimit, është jetësor për ne, për të strukturuar dhe reformuar programet tona. Sigurisht ne jemi institucion për të kualifikuar stafe, duke prezantuar ofertën tonë akademike, e plotësuar me të gjitha ciklet; master profesional, master shkencor dhe programet e doktoraturës. Ambicia jonë është që jo vetëm fakultetet, po të gjitha degët dhe departamentet të krijojnë Bordet e tregut të punës”, u shpreh themeluesi i UET, Henri Çili, në bisedë me përfaqësuesit e kompanive.
Për të qenë pranë studentëve, jo vetëm për t’u ofruar programe studimi apo thjesht një diplomë, UET ka si qëllim konsolidimin e Bordeve të Punës, të cilat përbëhen nga specialistë, drejtues institucionesh, firmash private, kompani publike e private, media, sipërmarrjeje të specializuara për zhvillimin e tregut të punës.
“Që në fillim kemi vendosur konceptin dhe praktikën e Bordeve të Punës, si struktura që qëndrojnë pranë fakulteteve me qëllim konsultimin për proceset e praktikave, stazheve apo për cilësinë dhe mundësitë e punësimit të të diplomuarve nga UET. Dhe ajo që ne po kërkojmë të bëjmë me anë të “Bordeve të Punës” është që t’i përshtasim sa më shumë programet tona të studimit me tregun e punës duke i diversifikuar, ndërkombëtarizuar, si dhe duke i përshtatur me ndryshimet më të fundit të teknologjisë dhe informacionit”, përfundoi zonja Dobi, duke theksuar se të tilla takime ndihmojnë që institucionet e arsimit të lartë si Universiteti Europian i Tiranës të mbajnë marrëdhënie afatgjata e të suksesshme me tregun e punës.