E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pretendimet e Ramës për hapjen e kutive dhe për hetimin e tyre janë të pabaza

18-12-2010 / Gazeta 55

Deputeti i PD-së Gent Strazimiri: “Edi Rama të kërkojë falje, prej një muaji ai e dinte rezultatin e kutive të Shkodrës”

Gent Strazimiri deputeti i PD-së,  në një deklaratë për shtyp akuzoi dje kreun e selisë rozë Edi Ramën në lidhje me rezultatin e hapjes së kutive në qarkun e Shkodrës. Stazmiri, deputet i PD-së theksoi se Rama ka qenë në dijeni për hetimet e Prokurorisë së Shkodrës. Sipas Strazimirit, kryetari i Partise Socialiste është në dijeni që prej një muaji  të faktit që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka pushuar hetimin për kallëzimin që njerëzit e tij u kishin bërë zgjedhjeve të vitit 2009-të në Qarkun e Shkodrës.
“Ka një muaj që Edvin Rama e di se Prokuroria ka hapur kutitë, ka numëruar votat, ka verifikuar materialet dhe mbi këtë bazë ka vendosur se, pretendimet e opozitës janë të pa baza. Në Shkodër nuk ka pasur manipulime, nuk ka pasur parregullsi”, tha Gent  Strazimiri.
Më tej deputeti demokrat theksoi se, Rama më mirë se kushdo në Shqipëri e di se pretendimet e veta i ka të sajuara. Gjithashtu deputeti i PD-së Stazmiri i bëri thirrje kreut të socialistëve që t’u thotë të vërtetën shqiptarëve dhe si një politikan i përgjegjshëm duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve.
“Ka të paktën një muaj që Edvin Rama u fsheh të vërtetën shqiptarëve dhe nuk del të bëjë xhestin e vetëm që mund të bëjë një politikan i përgjegjshëm, nuk del të kërkoje falje, ndjese publike për baltën që i ka hedhur vendit dhe çdo shqiptari të paktën prej 1 viti e gjysmë”, tha deputeti i PD-së Stazmiri gjatë kësaj deklarate për shtyp. Stazmiri theksoi gjithashtu se vendimi  i prokurorisë së Shkodrës, provon 100 për qind se ne zgjedhjet e vitit 2009 ligji ka funksionuar me korrektësi, institucionet kane funksionuar me korrektësi, drejtësia ka funksionuar me korrektësi.
“Ky vendim, provon përpara shqiptarëve arsyen pse Edvin Rama refuzon prej 1 viti e gjysmë të kërkojë falje, të zbatoje ligjin, refuzon t’i drejtohet institucioneve, refuzon t’i drejtohet prokurorisë”, u shpreh Strazimiri më tej.
Deputeti i PD-së  e përfundoi deklaratën  e tij me duke thënë se, që kur Rama hoqi dorë nga numërimi i fletëve të votimit rreth një muaj më parë, nuk e bëri këtë për kompromis politik, nuk u tregua i sinqertë me shqiptarët, nuk u tha se po hiqte dorë për shkak se prokuroria me këtë vendim e nxirrte sërish lakuriq.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›