Zëvendëskryeministri Oketa pret Zëvendëskryeministren dhe Ministre e Jashtme e Hungarisë, zonjën Kinga Goncz
Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa priti sot në një takim Zëvendëskryeministren, njëkohësisht Ministre e Jashtme e Hungarisë, zonjën Kinga Goncz.
Të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin e përbashkët për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Zëvendëskryeministrja e Hungarisë vlerësoi zhvillimet pozitive në Shqipëri, veçanërisht klimën e mirë që po krijohet për biznesin dhe investimet në vend. Duke falënderuar Zëvendëskryeministrin Oketa për ftesën, ajo theksoi se kjo vizitë është një mundësi e mirë për të zgjeruar marrëdhëniet shumë të mira politike edhe në fusha të tjera si në atë ekonomike, tregtare dhe kulturore. Zonja Gonz u shpreh se Shqipëria ka potenciale shumë të mëdha për zhvillimin e turizmit, pasi ka burime natyrore të shkëlqyera dhe të pacenuara. Ajo shprehu kënaqësinë që disa kompani të mëdha hungareze, si Trigranit, po investojnë në Shqipëri, ndërsa siguroi për nxitjen e mëtejshme të investitorëve hungarezë për të qenë prezentë në vendin tonë. Një zhvillim pozitiv në këtë drejtim, theksoi zonja Goncz, është edhe hapja e një zyre të Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë, në Budapest, e cila do të realizohet së shpejti.
Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Jashtme e Hungarisë, rikonfirmoi mbështetjen e qeverisë hungareze për integrimin e Shqipërisë në NATO, për t’i dhënë mundësinë asaj të marrë ftesën për anëtarësim në samitin e Bukureshtit. “Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim dhe mendojmë se ju e meritoni këtë ftesë”, tha zonja Goncz. Ajo theksoi se procesi i reformave është i vështirë, por është e rëndësishme dhe e nevojshme qe Shqipëria të bindë partnerët e NATO-s për ecurinë pozitive të reformave në vend.
Gjithashtu, Zëvendëskryeministrja Goncz u shpreh se Hungaria është një nga vendet e para që ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke shprehur mbështetjen e plotë të qeverisë hungareze për përpjekjet e Shqipërisë në procesin e integrimit.
Zëvendëskryeministri Oketa, duke falënderuar zonjën Goncz për vizitën, e njohu atë me ecurinë e reformave në vend. Zoti Oketa vuri në dukje arritjet pozitive në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit dhe informalitetit. Ai nënvizoi nismat e marra në fushën ekonomike për lehtësimin dhe krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet e huaja. Rezultatet pozitive në këtë drejtim i tregon edhe pjesëmarrja e mbi 200 kompanive të huaja në konferencën e djeshme ekonomike në Tiranë, organizuar nga “The economist”. Ky është një tregues i qartë se Shqipëria po bëhet vendi më i lakmueshëm në rajon për investitorët e huaj, tha z. Oketa. Zëvendëskryeministri Oketa shprehu nevojën e krijimit të lehtësive në regjimin e vizave mes dy vendeve, si një mundësi më e mirë për forcimin e bashkëpunimit dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.
Gjithashtu, Zëvendëskryeministri Oketa e falënderoi Zëvendëskryeministren hungareze për ratifikimin e MSA-së nga Parlamenti hungarez, në prill të vitit 2007. Në përgjigje të interesimit të zonjës Goncz se sa mbështetje gjen procesi i integrimit të Shqipërisë nga vet shqiptarët, zoti Oketa u shpreh se ky proces mbështetet nga 94 për qind e popullatës, nga një sondazh i bërë kohët e fundit.
Zëvendëskryeministri Oketa i përcolli zonjës Gonz ftesën për një vizitë zyrtare të Presidentit të Hungarisë në Shqipëri.