E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohej si biznesmen, "jetë mbreti" pa para në hotelet më luksoze të Tiranës

Profesioni i hajdutëve zakonisht është vjedhja në të gjitha format e saj. Kjo është edhe mënyra e jetesës së një shqiptaro-amerikani, i cili është arrestuar nga Policia e Tiranës, por ndryshe nga të tjerët kishte mani për diçka shumë të rrallë. Ai "vidhte" duke bërë "qejf". Pikaste hotelet më të shtrenjta, hiqej si biznesmen, qëndronte në këto ambiente dhe pasi vinte koha për pagesën, ikte pa paguar. Megjithatë, protagonisti Admir Saliu nuk ka qenë me shumë fat. Ai është prangosur nga policia e kryeqytetit, kur ka tentuar për herë të tretë të kryejë këtë veprim në një nga hotelet e Tiranës.

Saliu, i njohur nga pasaporta amerikane edhe me mbiemrin Hoonaert, kishte fituar nënshtetësi amerikane, por prej vitesh nuk ishte kthyer në Shqipëri. E kështu, rreth një muaj më parë, ai ka vendosur të vijë për pushime në Tiranë, të bëjë "jetë bosi", dhe të largohet sërish. Ka vizituar hotelet më të mira të kryeqytetit, ka qëndruar në to, por ka nxjerrë në pah edhe problemin e tij "të vogël", që kishte zët të paguante para kesh. Rrobat e shtrenjta, telefonatat e shpeshta dhe prezantimi si biznesmen i rëndësishëm, duket se e kishin ndihmuar 34-vjeçarin me origjinë nga Kosova, në aventurën e tij për të jetuar si mbret për muaj të tërë në hotelet më të kushtueshme të Tiranës. Historia e rrallë ka nisur pak kohë më parë, kur Admiri nga Gjilani i Kosovës ka telefonuar në një nga hotelet më me emër të Tiranës. Ai ka biseduar me menaxherët, ka prenotuar suitën e tij, ka qëndruar për disa ditë dhe më pas është larguar pa paguar asnjë kacidhe. Këtë veprim e ka kryer tri herë brenda një muaji, por shumë shpejt është zbuluar. Kështu, për herë të tretë, kur ka qenë duke prenotuar një tjetër hotel, është zbuluar nga menaxheri, i cili ka njoftuar policinë, që i ka dhënë fund aventurës së shqiptaro-amerikanit.

Policia ka zbuluar se fillimisht ai ka telefonuar në hotel "Rogner", me qëllim për të prenotuar një dhomë për disa ditë. Nëpërmjet postës elektronike ka vënë në dispozicion të gjitha të dhënat e tij, duke deklaruar se ishte me banim në Nju Jork dhe në Gjilan kishte një biznes, për të cilin ka lënë edhe numra kontakti. Menaxheri i hotelit "Rogner" ka hulumtuar mbi këtë person dhe ka konstatuar se ai "vërtet" ishte një person i pasur, duke i vënë në dispozicion të gjitha shërbimet që kishte kërkuar. Ai është paraqitur në hotel, ka kërkuar prenotimin dhe ka qëndruar aty për disa ditë. Por, para se afati i qëndrimit të përfundonte, është larguar pa lënë gjurmë. Kjo ka detyruar menaxherin e hotelit të denoncojë në polici, duke deklaruar se ky person i kishte vjedhur rreth 155 mijë lekë. Por, pa kaluar shumë ditë, policia është përballur me një tjetër denoncim për këtë person. Menaxheri i hotel "Grand" ka kërkuar ndihmën e policisë, pasi në të njëjtën mënyrë, shqiptaro-amerikani nuk kishte shlyer detyrimet prej 1800 euro për shërbimet e kryera në këtë biznes.

Kjo ka detyruar policinë të alarmohet dhe të vihet në lëvizje, duke dyshuar se ai mund të kryejë sërish të njëjtin veprim. Menjëherë, uniformat blu kanë kërkuar bashkëpunimin e hoteleve, duke publikuar edhe identitetin, me të cilin lëvizte "biznesmeni". Dhe ai është rishfaqur. Këtë radhë, gjuetia e tij është përqendruar te hotel "Diplomat", një tjetër rezidencë e shtrenjtë. Si në dy rastet e tjera, ai ka kërkuar prenotim në këtë hotel dhe menjëherë, menaxheri ka telefonuar policinë. Më pas, kur ai është paraqitur për të marrë dhomën, është përballur me punonjësit e policisë, të cilët e kanë dërguar në "hotelin" e tyre pas hekurave. Megjithatë, i arrestuari ka deklaruar se nuk kishte lidhje me dy rastet e para dhe që në këtë hotel do paguante paratë si të gjithë klientët e tjerë. Por, kjo nuk e ka bindur policinë, duke parë se ai nuk kishte edhe aq para sa donte hoteli, për më tepër që vetëm nga prenotimi te "Diplomat" ka mbetur borxh edhe 320 euro. Sipas policisë, ai u arrestua nën akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›