Katër vjet burg për trafikantin irakian që "mbyti" shqiptarin
Drejtësia kanadeze dënoi me 4 vjet burg trafikantët e familjes shqiptare, aventura e së cilës përfundoi tragjikisht më 2 shtator të vitit 2005. 23-vjeçari Shkëlqim Harizi dhe nëna e tij zgjodhën një mënyrë të paligjshme për të udhëtuar nga SHBA-ja drejt Kanadasë, përmes lumit Detroit. Ata u shoqëruan nga trafikantët e qenieve njerëzore, por barka me të cilën u nisën drejt Kanadasë u përmbys, duke hedhur të dy shqiptarët në lumë. Harizi nuk arriti të shpëtonte, ndërsa nëna e tij arriti të dilte në breg. Policia e Torontos e gjeti trupin e djaloshit pak ditë më vonë, të nxjerrë nga dallgët në breg, me rreth 10 mijë dollarë në xhepat e pantallonave. Pas gati tre vjetësh nga dita e tragjedisë, dje është zhvilluar gjyqi për trafikantët e familjes shqiptare. Maitham Alzehrani, 37 vjeç, me origjinë nga Iraku, banues në Uindsor Ontario, u dënua me 4 vjet e gjysmë burg. Ndërkohë, trafikanti tjetër mësohet se ishte shqiptar, i quajtur Fran Gashaj, 42 vjeç, nga Uindsor, i cili rezultoi se nuk kishte pasur rol në incidentin në fjalë, por kishte bashkëpunuar me Alzehranin për trafiqe të tjera. Gashaj u akuzua për trafikimin e tetë kinezëve nga SHBA-ja në Kanada. Ai u dënua me katër vite burg, por i është dhënë urdhër që të deportohet në vendin e tij, në Shqipëri. Ai ka qenë i dënuar edhe me parë për trafikim të qenieve njerëzore në Teksas.