E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet Esien lojtar i Realit te Madridit

Një herë e një kohë ai ishte tmerri i kundërshtarëve dhe motori i mesfushës. Ganezi Mikael Esien nuk është më aq i mrekullueshëm, por trajneri i Realit, Zhoze Murinjo, ende beson se ai vlen shumë. Në konferencën e parë për shtyp për madrilenët, Esien, e cilëson Murinjon “babai im”, një vlerësim shumë i lartë.
“Kam pasur dëmtimet e mia, por tani jam krejtësisht në formë, ndihem shumë i fortë. Nuk do të pranoja të luaja për babën tim dhe për Realin nëse nuk do të isha në formë. Çdo gjë ndodhi shumë shpejt. Unë isha në dhomën time të hotelit dhe pata një telefonatë nga babai i cili më donte tek Reali. Unë kurrë nuk mund t’i them jo pasi ishte ai që më mori tek Çelsi kur ishte aty. Kjo ishte e gjitha”, shprehet Esien.
Me të mbërritur në “Santiago Bernabeu”, Esien shprehet se mund të luajë që sot ndaj Granadës.
 “Babai më njeh shumë mirë. Ai e di se unë mund të luaj në çdo pozicion përveç portierit. Unë jam gati. Pata një fazë përgatitore dhe paraqitje shumë të mira në miqësore me Çelsin, ndaj nëse trajneri dëshiron që të luaj sot, do të luaj që sot”, theksoi ai.
Nëse fizikisht Esien do të jetë mirë, kjo do të jetë një goditje e shkëlqyer për Murinjon që me të drejtë i beson lojtarëve veteranë. Nuk dihet nëse do të mjaftojë kjo për të mposhtur Barçën këtë sezon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›