E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtia e jashtme, bien me 13 për qind eksportet

Volumi i tregtisë së jashtme të Shqipërisë vijoi të tkurrej gjatë shkurtit, duke dëshmuar vështirësi të konsiderueshme të ekonomisë vendëse, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara dje nga Instituti i Statistikave. Eksportet e Shqipërisë gjatë periudhës janar-shkurt ranë me 13% në 109 milionë euro, udhëhequr nga rënie të konsiderueshme në eksportin e veshjeve dhe këpucëve. Eksporti i energjisë elektrike gjatë shkurtit nuk ndihmoi shumë në ndryshimin e tendencës. Në dy muajt e parë të vitit 2008, eksportet qenë 132 milionë euro. Eksporti i veshjeve dhe këpucëve ra me 6.5%, duke konfirmuar vështirësitë e sektorit më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare si për nga volumi, ashtu edhe për nga numri i të punësuarve. Duke qenë se ky sektor në thelb eksporton punën e angazhuar në qepjen e veshjeve dhe këpucëve, rënia e eksporteve shoqërohet detyrimisht me pakësimin e krahëve të punës dhe me rritjen e papunësisë në vend. Por të dhënat e punësimit në Shqipëri nuk janë publikuar ende për shkak të sistemit të dobët të grumbullimit të të dhënave. Industria e veshjeve dhe këpucëve punëson rreth 30 mijë vetë dhe rënia e eksporteve me 6.5% mund të sjellë mbylljen e mbi 2 mijë vendeve të punës.

Nga ana tjetër, eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve gati u përgjysmua, pasi shënoi rënie vjetore prej 42.5%. Me rritje ishte eksporti i ushqimeve, pijeve dhe duhanit, i cili zë një peshë relativisht të vogël prej 8% në eksportet totale të vendit.

Që nga viti 2000, eksportet e Shqipërisë janë rritur mesatarisht me 15% në vit. Nëse ecuria e dy muajve të parë vijon gjatë gjithë këtij viti, kjo do të jetë hera e parë në 11 vjet që eksportet shënojnë rënie. Rënia e eksporteve të vendit lidhet para së gjithash me vështirësitë e ekonomisë italiane, ku shkon shumica dërrmuese e veshjeve dhe këpucëve të prodhuara në Shqipëri. Ekspertët thonë se pritshmëritë janë pesimiste edhe për pjesën tjetër të vitit.

Importet

Importet ranë me 4.4% në 471 milionë euro gjatë periudhës janar-shkurt në bazë vjetore, pavarësisht rritjes së konsiderueshme të importeve të materialeve të ndërtimit, që lidhen me projektin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Rënia e importeve i detyrohet gjerësisht rënies së çmimeve të karburanteve dhe energjisë elektrike në tregun ndërkombëtar. Edhe importi i ushqimeve ra ndjeshëm, gjë që erdhi si pasojë e rënies së çmimeve në treg ndërkombëtar, por edhe si pasojë e rënies së konsumit në ushqimet e gatshme. Volumi i tregtisë së jashtme ka një lidhje të drejtpërdrejtë me ecurinë ekonomike të vendit. Rënia e volumit të tregtisë së jashtme me më shumë se 6% gjatë dy muajve të parë, e bën të pashpresë rritjen ekonomike prej 1% për këtë vit, në rast se situata nuk ndryshon për mirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›