Arrestohet, dyshohet për trafik lëndësh narkotike
Një shqiptar i kërkuar nga Gjermania për trafik të lëndëve narkotike ka përfunduar në prangat e policisë kryeqytetase. Abdulla Muka, i shpallur në kërkim që prej pesë ditësh, është arrestuar gjatë ditës së mërkurë, ndërkohë që policia tha se po pritet dosja e plotë ndaj tij. Policia kryeqytetase tha se nga seksioni i antidrogës u ndalua Abdulla Muka, 48 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë në Gjermani, me 5 vjet burg, për shitje të lëndëve narkotike. "Ndalimi i tij u bë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit të vendimit penal numër 49, datë 4 prill 2009, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila i ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg", për veprën penale të "trafikimit të lëndëve narkotike". Sipas hetimeve, dy vite më parë ka dalë nga burgu në Gjermani, ku vuante dënimin, por një tjetër çështje është hapur për të, për trafik lëndësh narkotike. Gjithashtu, ai dyshohet se edhe në Shqipëri është marrë me të njëjtin aktivitet kriminal, por deri tani nuk ka prova të mjaftueshme për të dhe pritet ardhja e dosjes së plotë nga Gjermania.