E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza shpëtoi FMN-në

Kriza aktuale botërore duket se solli edhe "shpëtimin" e Fondit Monetar Ndërkombëtar nga "harresa" në të cilën ishte zhytur për më shumë se një dekadë, komentoi në numrin e saj të fundit, e përjavshmja britanike "The Economist". Fondi, i cili gjatë gjashtëdhjetë viteve të fundit ka pasur për detyrë të shpëtojë vendet e ndryshme nga falimenti, doli i "papunë" që nga kriza argjentinase e vitit 2001, kur shumë ekonomi në zhvillim iu drejtuan tregjeve private për kreditim dhe ia dolën të krijojnë rezerva valutore të vetat për ditë të vështira, duke e nxjerrë FMN-në jashtë loje. Gjatë viteve të fundit, fondi hasi "vështirësi" financiare, pasi mungesa e kreditimit të vendeve në krizë e la pa të ardhura të mjaftueshme për të financuar operacionet e veta. Për pasojë, një pjesë e stafit u nxor në pension të parakohshëm për të shkurtuar shpenzimet. Por me shpërthimin e krizës aktuale botërore, duket se FMN është "kthyer në biznes". Gjithnjë e më shumë vende e kanë të vështirë të sigurojnë kredi në treg të hapur dhe po i drejtohen fondit për fonde. Pavarësisht kësaj, tani për tani, kreditimi nga FMN mbetet në nivelet më të ulëta historike. Vetëm 20 miliardë nga USD e fondit janë në duart e kredimarrësve nga 200 miliardë që janë në arkat e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›