E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnja tregon "mëkatet" e Fazliç

Shteti boshnjak më në fund i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së drejtësisë shqiptare, e cila kërkoi dokumente për veprimtarinë e Damir Fazliç në atë vend. Kjo, në funksion të akuzës, se serbo-boshnjaku ka kryer pastrim parash në Shqipëri. Disa ditë më parë, në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë shqiptare është postuar një zarf me dokumente që hedhin dritë mbi aktivitetin e Fazliç, si dhe për transfertat bankare nga Shqipëria drejt Bosnjës. Burime nga Ministria e Drejtësisë thanë për gazetën "Shqip" se dosja po përkthehet dhe më pas do t‘i vihet në dispozicion Prokurorisë së Tiranës, e cila ka hapur një procedim penal ndaj Damir Fazliç, i konsideruar si mik i Kryeministrit Sali Berisha. Në dosjen boshnjake mësohet se ndodhen dokumente për transferta bankare nga Tirana drejt Sarajevës në shuma të mëdha. Mësohet gjithashtu se të gjitha enigmat e prokurorisë janë zbardhur për sa u përket episodeve që e lidhin Fazliç me Bosnjën.

Pesë letër-porosi
Deri dje, vetëm Bosnja i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Prokurorisë së Tiranës. Disa javë më parë, hetuesit e çështjes kanë dërguar letër-porosi edhe në Qipro, Kroaci, Zvicër dhe Angli për të zbardhur pastrimin e parave nga shtetasi serbo-boshnjak, Damir Fazliç në Shqipëri. Dyshohet se në këto shtete, ai ka kompani pa kapital, me anë të të cilave kryente pastrim parash. Sipas Prokurorisë shqiptare, kjo veprimtari e ka pasur zanafillën në shtetin e Qipros, ku Fazliç ka shitur kompaninë "Crown Acquisition". Më pas transferoi paratë e shitjes së kompanisë në Shqipëri, duke arritur të blejë qindra dynymë tokë në Durrës. Por mësohet se prokuroria është thelluar në hetime dhe ka dërguar një letër-porosi në Zvicër nga ku kërkohen më shumë detaje. Në këtë shtet ka të dhëna se Fazliç ka një kompani tjetër që ka shërbyer si nënkontraktore për shitjen e "Crown Acquisition". Gjithashtu, Prokuroria shqiptare shpreson në një bashkëpunim të ngushtë me zviceranët edhe për transfertën e 1.7 milionë eurove nga Tirana në Zyrih. Një tjetër letër-porosi është dërguar në Kroaci, ku kërkohet informacion për disa kompani të tjera të Fazliç që veprojnë në këtë shtet. Ndërsa letër-porosia e dërguar drejt Anglisë shërben për marrjen e informacionit për rezidencat e Damir Fazliç.

Qipro, më e rëndësishmja
Duket se hetimet për Damir Fazliç kanë ngelur në vendnumëro. Dy prokurorët e çështjes, Besnik Muçi dhe Dritan Rreshka, janë detyruar të shtyjnë hetimet edhe 30 ditë të tjera, me qëllim që të bashkëngjisin në dosjen voluminoze edhe letër-porositë që priten nga katër shtete. Burimet zyrtare pranë institucionit qendror të akuzës, sqaruan se hetimet brenda territorit shqiptar për aktivitetin e ligjshëm dhe të paligjshëm të biznesmenit Fazliç kanë përfunduar. "Veprimet hetimore që, organi i akuzës duhej të kryente në vendin tonë në lidhje me procedimin penal ndaj shtetasit serbo-boshnjak Damir Fazliç, për dyshimet e kryerjes së veprës penale të pastrimit të parave, prokuroria pothuajse i ka përfunduar. Por, për të mbyllur dhe nxjerrë një konkluzion në lidhje me kryerjen apo jo të kësaj vepre penale, jemi të detyruar të presim ardhjen e përgjigjeve të letër-porosive të dërguara në Qipro, Angli, Zvicër dhe Kroaci. Bëhet fjalë për llogaritë bankare në këto vende, të cilat janë përdorur nga kompanitë e biznesmenit Fazliç për transferta të ndryshme nga njëri shtet në tjetrin dhe drejt Shqipërisë", thanë burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Hetimet e pastrimit të parave ndaj mikut të Kryeministrit Sali Berisha, serbo-boshnjakut Fazliç kanë ngecur për shkak të mosardhjes së këtyre letër-porosive të dërguara nga Prokuroria e Tiranës nëpërmjet rrugës zyrtare që është Ministria e Drejtësisë. Gjithashtu, këto burime saktësuan se me ardhjen e këtyre letër-porosive, dosja hetimore ndaj biznesmenit Fazliç mund të marrë një drejtim përfundimtar, drejt zbardhjes së veprës penale për të cilën akuzohet miku i Kryeministrit Berisha.

Dosja

Hetimet në Shqipëri për Fazliç

"Hetimet e nevojshme në Shqipëri për dosjen Fazliç kanë përfunduar thuajse tërësisht, duke sekuestruar një sërë shkresash, kontratash të blerjes së 14 hektarëve tokë në fshatin Rinia të Porto Romanos në Durrës, marrja në pyetje e banorëve që ia kanë shitur këto prona, pyetjen e personave që kanë punuar për llogari të serbo-boshnjakut Fazliç, vetë personin në hetim dhe shumë shkresa të tjerë që janë administruar në fashikullin hetimor", thanë për "Shqip" burime nga prokuroria. Sipas këtyre burimeve, letër-porosia që pritet të vijë nga Qipro ka të bëjë me të ardhurat e përdorura nga shoqëria "Altarie Reserach Limited" për blerjen e kompanisë "Crown Acquisition" me një vlerë prej rreth 1 milion e 750 mijë euro. Para këto që kanë ardhur në Shqipëri nga një filial bankar në Londër, ku më pas një shumë e caktuar është dërguar në Zvicër dhe në Bosnjë. Sipas prokurorisë, me shitjen e kompanisë "Crown Acquisition" te kompania me seli në Qipro "Altarie Reserach Limited", biznesmeni Fazliç ka blerë 140 mijë metra katror truall, me dy parcelat në fshatin Rinia të Komunës Porto Romano në Durrës, pa paguar detyrimet tatimore pranë institucioneve vendase.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›