E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet pas 17 vitesh i dënuari për përdhunim

Pas 17 vitesh, drejtësia shqiptare ka mundur të vendosë në pranga një të dënuar me 18 vjet heqje lirie. Kastriot Gremi, i dënuar për përdhunimin e një vajze të re në vitin 1992, është ekstraduar dje nga Italia. Burimet policore thanë se nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Milano (Itali) drejt Shqipërisë i shtetasit Kastriot Gremi, 39 vjeç, lindur e banues në Fier. Gjykata e Shkallës së Parë në këtë qytet, me vendimin nr. 123, datë 24 gusht 1992, e ka dënuar Gremin me 18 vjet burg për kryerjen e veprës penale të "marrëdhënieve seksuale me dhunë e kryer në bashkëpunim". Sipas vendimit të gjykatës, më datën 13 maj të po atij viti, në vendin e quajtur "Qafa e Koshovicës" në Fier, Kastriot Gremi dhe Xhevahir Braka kanë marrë me dhunë shtetasen O.B., dhe duke ushtruar dhunë fizike e psikike, kanë kryer marrëdhënie seksuale, kundër dëshirës së saj. Më vonë, ajo denoncoi në polici dhe gjykata i dënoi këta persona sipas Kodit të vjetër Penal. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, më datën 18 shtator të vitit të kaluar, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi i këtij personi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›