Arrestohet kosovari për kalim të paligjshëm të kufirit
DURRËS- Një 28-vjeçar nga Gjakova e Kosovës është arrestuar nga efektivat e policisë kufitare në portin e Durrësit, pasi ai ishte shpallur në kërkim tre vjet më parë, për kalim të paligjshëm të kufirit. Rikard Dreni 28 vjeç, ishte dënuar në mungesë me 5 muaj heqje lirie dhe 300 000 lekë gjobë, por që nga data e dhënies së vendimit, ai nuk ishte kapur nga Policia e Durrësit. Vendimi për dënimin e shqiptarit nga Gjakova është dhënë nga gjykata e rrethit gjyqësor Durrës dhe mban datën e 22 shkurtit të vitit 2008. Plot pas tre vitesh, ai është kapur në portin e Durrësit, në një tjetër tentativë, për të ikur drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në lidhje me vendimin e gjykatës, i cili është dhënë në mungesë të 28-vjeçarit, policia e qytetit bregdetar ka marrë të dhëna për Rikard Drenin një muaj pas dhënies së vendimit nga gjykata, në kohën që ai ka qenë 25 vjeç. Rasti i 28-vjeçarit Dreni nuk është i vetmi, me të cilin është marrë Gjykata e Durrësit. Ka me qindra vendime të tilla, që janë dhënë nga gjykata e rrethit gjyqësor Durrës, për shqiptarë të Kosovës, të cilët në mungesë të liberalizimit të vizave, shpesh kanë tentuar të kalojnë nga porti i Durrësit drejt vendeve të BE-së me pasaporta të falsifikuara, apo viza jo të sakta. Shumë shtetas nga Kosova kanë mundur të kalojnë pa u kapur nga policia kufitare dhe e migracionit, por shumë të tjerë janë arrestuar duke u dënuar me minimumi gjobë, që shkon deri në 400 000 lekë. Dënimet ndaj shqiptarëve të Kosovës janë dhënë duke pasur si akuzë ndaj tyre kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror dhe falsifikimin e dokumenteve. Pothuajse që nga viti 2000 dhe në vazhdim, policia e Durrësit ka ndaluar shumë shtetas të tillë në port, për të cilët më pas kanë nisur telashe të mëdha, që nga gjetja e avokatit, pagesa e garancisë dhe deri gjoba që kërkohet me vendim gjykate. Shumica e kosovarëve të arrestuar për këtë qëllim e kanë mbyllur problemin e tyre me drejtësinë shqiptare, duke paguar gjobën, por mjaft të tjerë janë detyruar që të vuajnë dënimin, i cili shkon nga 6 deri në 12 muaj, siç është edhe rasti më i fundit. Këto pasoja i vuajnë edhe personat që japin ndihmë për shqiptarët e Kosovës, që të kalojnë kufirin në këtë mënyrë. Policia e Durrësit ka kapur një tjetër person të shpallur në kërkim, i cili akuzohet për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Gazmend Vlladna, 40 vjeç, nga Shkodra ishte dënuar më 21 qershor 2010 nga Gjykata e Kukësit me 1 vit, 7 muaj e 25 ditë heqje lirie në mungesë, për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.