Prifti: Do hapim 160 mijë vende të reja pune gjatë këtij mandati
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti në fjalën e tij të parë si pjesë e kabinetit qeveritar shprehu prioritetet e ministrisë që do të drejtojë. Në qendër të politikave qeverisëse sipas tij do të jetë punësimi, i cili ishte dhe një nga premtimet elektorale të LSI-së. “Brenda 4 vjetëve të ardhshëm ekonomia shqiptare do të krijojë mundësitë e hapjes së rreth 160,000 vende të reja pune, rreth 90% e të cilave do të hapen të programuara dhe nxitura nga efektet direkte të politikave ekonomike të Qeverisë. Ky objektiv madhor do të arrihet duke mbështetur dhe fuqizuar biznesin privat si baza e ekonomisë shqiptare, duke promovuar në mënyrë të veçantë iniciativat prodhu-ese si lajtmotiv i politikave ekonomike, por dhe duke integruar në ekonomi politika lehtësuese dhe promovuese fiskale, kontribute të mëdha krijuese të shoqërisë shqiptare, investime të mëdha të Qeverisë, dhe investime gjithnjë në rritje nga biznesi vendas dhe i huaj”, u shpreh Prifti. Sipas tij, në qendër të punës së kësaj ministrie do të jetë mbështetja në zhvillimin e sektorit privat, duke zhvilluar një marrëdhënie partneriteti me këtë biznes, duke zhvilluar dialogun e pandërprerë, duke vënë shtetin dhe gjithë institucionet e tij në shërbim të iniciativës dhe konkurrencës së lirë. “Me këtë qëllim do të thjeshtojmë legjislacionin, lehtësojmë procedurat administrative të biznesit, liberalizojmë marrëdhëniet e punës, dhe zvogëlojmë burokracinë shtetërore që kontrollon biznesin. Do të ofrojmë stimuj fiskalë dhe financiarë për bizneset që punësojnë, prodhojnë dhe eksportojnë, sidomos në rajonet me shkallë të lartë papunësie dhe varfërie. Do dyfishojmë fondin prej 25 milionë euro që mbështet me kredi të buta ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke e fokusuar atë drejt ndërmarrjeve që prodhojnë dhe punësojnë më shumë. Do të dyfishojmë gjithashtu, Fondin e Konkurrueshmërisë dhe Fondin e Garantimit të Eksporteve”, u shpreh ministri i Ekonomisë. Duke parashtruar prioritetet e ministrisë që ai drejton, Prifti tha se “gjatë mandatit qeverisës do të vëmë në funksionim Bursën e Tiranës, për tregtimin e titujve dhe letrave me vlerë në Shqipëri, duke rikonceptuar tregun e kapitaleve në përputhje me praktikat më të mira evropiane”. Prifti foli dhe për lehtësirat që do t’i ofrohen biznesit në vend. “Do ofrohet shërbim me një sportel dhe tarifa minimale për shumë shërbime administrative ndaj biznesit, si regjistrimi në QKR, të gjitha lejet dhe licencat, dokumentet e tatim-taksave, Inspektoratit të punës, procedurave doganore apo institucioneve të tjera. Edhe për lejet e ndërtimit, të cilat janë bërë shumë problematike sot për sektorin, do të ofrohen nga një shërbim me një sportel (one stop shop). Do krijojmë One-Stop-Shop për lejet e sektorit mineral pas dixhitalizimit të plotë të hartës së nëntokës shqiptare”, tha Prifti. Në sektorin energjetik, për ministrin e ri prioritet do të jetë fuqizimi i kapaciteteve prodhuese dhe largimi i varësisë nga kushtet e motit të saj. “Për sektorin energjetik, 4-vjeçari i ardhshëm do të sjellë eliminimin përfundimtar të varësisë nga kushtet hidrologjike të motit dhe eliminimin e menjëhershëm dhe të garantuar të krizave të furnizimit me energji elektrike. Investimet e reja në sektorin energjetikë do të arrijnë në 5 miliardë euro brenda mandatit qeverisës, duke garantuar trefishim të kapaciteteve importuese të energjisë elektrike dhe dyfishim të kapaciteteve prodhuese termike”, tha Prifti.