E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria votohet me 74 vota, Berisha shpall programin: Rritje e pensioneve 10-15% në vit

 

BLEDAR HOTI

Qeveria “Berisha” merr 74 votat pro të maxhorancës dhe vetëm një kundër, atë të deputetit të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Edhe pse pa pjesëmarrjen e opozitës, maxhoranca ishte angazhuar seriozisht në këtë moment të miratimit të qeverisë së re. Diskutimet në këtë seancë kanë zgjatur për pesë orë rresht. Në momentin e miratimit të qeverisë së re, deputetja Rajmonda Bulku ka ngjitur podin e ministrave, duke i dhuruar Kryeministrit të porsazgjedhur, Berisha një buqetë me lule. Ndërsa stafi i Kuvendit, në mesin e tavolinës ku qëndronte qeveria vendosën një shportë të madhe me lule. Në këtë seancë kanë marrë pjesë përfaqësuesit e trupit diplomatik në Tiranë, drejtuesit e tre komuniteteve fetare, si dhe shumë të ftuar, ku binin në sy dhe pjesëmarrja e madhe e zëvendësministrave. Ndërsa punonjësit e Kuvendit ishin përgatitur për të zbukuruar sallën e seancave, duke vendosur shirita dy ngjyrësh, me simbolin kuq e zi të flamurit shqiptar dhe vendosur lule në tavolinën e gjatë ku ulen ministrat. Për herë të parë në këtë seancë është vendosur busti i heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Diskutimet
Në këtë seancë pesë orëshe përveç kryeministrit kanë marrë fjalën të gjithë ministrat, të cilët kanë prezantuar shkurtimisht programet e tyre në këtë katërvjeçar qeverisës. Ndërsa kanë diskutuar deputet e rinj si Mark Marku, Gent Strazimiri, Luçiano Boçi, Selami Xhepa, Flamur Noka dhe Mesila Doda. Nuk kanë munguar as diskutimet e Aldo Bumçit dhe të Edi Palokës. Në fjalën e tij zëvendëskryeministri Ilir Meta dha garancinë për zbatimin e marrëveshjes politike me PD-në që ka si synim kryesor integrimin e vendit në BE. Meta në diskutimin e tij tha se “mbështes propozimin e kryeministrit Berisha, që opozita të marrë përsipër të kontribuojë për përmirësimin e reformës zgjedhore, sepse në këtë mundësi që i jepet ka njëkohësisht ka shansin të korrigjojë gabimet që bëri duke inkriminuar Kodin me zgjedhjet që u bënë”. Bashkëpunimin me PD-në, Meta e ka lidhur me simbolikën e 16 shtatorit të Konferencës së Pezës. “Data 16 shtator, është dita e Konferencës së Pezës, duhet të ftoj të gjithë të mos ngatërrojnë mesazhin historik që dhanë të gjithë patriotët shqiptarë, pa dallim feje, krahine e ideje, më 16 shtator 1942, i cili është mesazhi i bashkimit për interesa të vendit tonë dhe kombit tonë. Interesi i kombit tonë, vendit tonë është integrimi në BE, ndaj askush nuk duhet të mungojë në këtë detyrë të rëndësishme ku na pret vendi dhe interesi i tij dhe mbi të gjitha vota e qytetarëve shqiptarë”, tha Meta.

Berisha: Ja programi i Qeverisë 

Adi shkembi

Në programin e Qeverisë është i përfshirë edhe programi i LSI-së për të cilën votoi elektorati i saj në 28 qershor.
Kështu deklaroi mbrëmë Kryeministri Sali Berisha në hapje të seancës për votimin e programit katërvjeçar dhe të kabinetit qeveritar. Për rreth 75 minuta kreu i Qeverisë prezantoi përpara deputetëve të koalicionit të djathtë 33 faqet e programit, teksa përmendi fjalën reformë 42 herë. Në nisje të fjalimit Berisha u përqendrua në zgjedhjet parlamentare, ku pasi i vlerësoi ato si pozitive, theksoi se qeveria e dalë prej tyre ka një bazë të gjerë përfaqësimi. “Zgjedhjet e 28 qershorit janë historike sepse, në këto zgjedhje sovrani, me votën e tij të lirë, përcaktoi zgjerimin e spektrit qeverisës të vendit, aleancën integruese të Shqipërisë në BE, Parti Demokratike – Lëvizja Socialiste për Integrim, aleancë kjo që do të shndërrojë në realitet ëndrrën evropiane të shqiptarëve. Duke përshëndetur përzemërsisht, me këtë rast, votuesit e LSI, dua t’i siguroj se në programin e kësaj qeverie, do të kenë të mishëruar tërësisht programin për të cilin ata votuan”, u shpreh Berisha.
Programi
Kreu i koalicionit qeverisës premtoi dje në Parlament, pak përpara se të merrte votëbesimin e deputetëve, hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës në katër vitet e ardhshme. Berisha tha se në këtë mandat do të shtohen investimet në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe bujqësi. Kryeministri u ndal gjatë në kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve dhe dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. “Reforma në pronësi do bazohet në: përfundimin e regjistrit dixhital të pronave në Shqipëri, brenda viti 2011; në përzgjedhjen e një kompanie serioze, me garë të hapur, për regjistrimin e pronave, brenda vitit 2011; rritjen progresive të fondit të kompensimit monetar dhe fizik të pronave dhe rikthimit të tyre në të gjitha rastet e mundshme”, theksoi Berisha. Ndërsa për ish të përndjekurit ai tha se Qeveria angazhohet të shtojë fondet në drejtim të kompensimit financiar të kësaj shtrese. “Pensionet do të vazhdojnë të rriten me një ritëm mesatar 10% për qytetin dhe 15% për fshatin, ndërsa të ardhurat do të rriten me 12-15% në vit duke arritur që në vitin 2013 krahasuar me vitin 2005 të jenë 50% më të larta duke rritur kështu aftësinë vetëmbajtëse të skemës së sigurimeve shoqërore”, vijoi më tej kreu i Qeverisë. Duke iu referuar politikës së jashtme, kryeministri tha se brenda katër viteve do të përgatitet vendi për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që brenda vitit të parë synohet heqja e regjimit të vizave me vendet e unionit. Në të njëjtën kohë kreu i ekzekutivit premtoi reformë në organin e Prokurorisë si dhe në Policinë e Shtetit, Shërbimin Informativ Kombëtar dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Lidhur me shkurtimin e shpenzimeve kreu i Qeverisë tha se do të shkurtohet me 10 për qind administrata, si dhe 25 për qind shpenzimet e saj. “Maxhoranca është e vendosur të kufizojë imunitetin dhe shkurtojë privilegjet e pamerituara dhe shpenzimet e padobishme”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

prioritetet e qeverise

    Përgatitja për anëtarësim të Shqipërisë në BE brenda mandatit 4-vjeçar dhe sigurimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në “Schengen” brenda vitit të parë të mandatit
    Riorganizimi i sistemit të akuzës, përgjegjshmëria para ligjit, dhe lufta kundër korrupsionit;
    Reformës do t’i nënshtrohet Policia e Shtetit, SHIK, Entet Rregullatorë, Agjencitë që merren me reformën e pronësisë
    Maxhoranca është e vendosur të kufizojë imunitetin dhe shkurtojë privilegjet e pamerituara.
    Qeveri e vogël, efeciente dhe në dietë. Do të reduktohet administrata me 10 % dhe shpenzimet administrative 25%
    Me prioritet janë reformat në sistemin gjyqësor, lejet e ndërtimit, shëndetësia, shërbimet lidhur me pronat, tatimet, doganat.
    Rritje e shpejtë ekonomike për të mundësuar punësimin e 160 mijë qytetarëve.
    Reformimi rrënjësor në taksimin e pasurisë së patundshme duke nxitur punimin e tokës
    Në skemën e pagesës së TVSH në afatin kohor 30 ditor do të zbatohet parimi “heshtja është miratim”
    Qeveria do të investojë për Rrugën e Arbrit, Korridorin e Jugut, Unazën e Tiranës
    Fondet buxhetore për bujqësinë do të dyfishohen brenda 4 viteve
    Synohet që niveli i papunësisë të ulet nën 11%
    Synohet që çdo fëmijë që mbaron klasën e nëntë, të ketë kushte për të ndjekur shkollën e mesme, çdo i ri që mbaron shkollën e mesme të ketë të hapura dyert e universiteteve.
    Buxheti për shëndetësinë do të rritet me 60%.
    Pensionet do të vazhdojnë të rriten me një ritëm mesatar 10% për qytetin dhe 15% për fshatin, ndërsa të ardhurat do të rriten me 12-15% në vit
    Qeveria angazhohet të shtojë fondet në drejtim të kompensimit financiar të ish të përndjekurve politikë.
    Rritje progresive të fondit të kompensimit monetar dhe fizik të pronave dhe rikthimit të tyre në të gjitha rastet e mundshme
    Synohet shkatërrimi i një sasie prej 85.000 tone municione deri në vitin 2015. Pjesa më e rrezikshme e municioneve do të eliminohet deri në fund të vitit 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›