Qeveria nxjerr në shitje Albpetrolin
Prifti: Për shkak të abuzimeve, kompania ka arritur deri aty sa të mos ketë mundësi të shlyejë rrogat e punonjësve
Keqmenaxhimi i kompanisë ka bërë që qeveria të shohë si zgjidhje të vetme privatizimin e saj
TIRANË-Qeveria nxjerr në shitje kompaninë Alb-Petrol. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi dje se kjo kompani është keqmenaxhuar duke i hapur rrugën abuzimeve të mëdha dhe se zgjidhja më e mirë është privatizimi i saj. Sipas tij, nuk është përcaktuar ende se në çfarë mënyrë do të shitet, duke e privatizuar apo duke e dhënë me koncesion.
"Do të mendojmë sesi do të jetë forma e privatizimit, me koncesion apo privatizim të plotë. Në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është mbledhur grupi i punës.
Ndërkohë që do të zgjidhet një konsulent ndërkombëtar për formën e privatizimit, ndryshimet ligjore etj. Po përgatitet edhe vendimi i qeverisë për ngritjen e një grupi ndërministror. Procesi i privatizimit do të jetë i shkurtër dhe do të realizohet brenda 6-8 muajsh. Do të ftojmë që në tender të marrin pjesë sa më shumë kompani të huaja", - tha Prifti.
Shtysa kryesore për marrjen e vendimit për shitjen e kompanisë Alb-Petrol duket se ka të bëjë me keqmenaxhimin dhe abuzimet që janë kryer në të. Madje sipas Ministrit të Ekonomisë, për shkak të këtyre abuzimeve, kompania ka arritur deri aty sa të mos ketë mundësi të shlyejë rrogat e punonjësve të saj.
"Ne e kemi analizuar disa herë situatën në Alb-Petrol dhe nuk jemi aspak të kënaqur për mënyrën sesi është drejtuar. Për këtë arsye, do të bëjmë ndryshime edhe në Këshillin Mbikëqyrës të kompanisë", - tha ai.
Edhe pse bëhet fjalë për privatizim, në bisdimet me investitorin do të kihet parasysh që të mos pushohet asnjë punonjës nga puna duke mos lejuar shkaktimin e problemeve sociale.
Prifti gjithashtu ka paralajmeruar se privatizimi Alb-Petrolit do të shoqerohet edhe me disa ndryshime në marrëveshjet për hidrokarburet dhe se renta minerare nuk do t'i paguhet më kësaj kompanie por buxhetit të shtetit.
Gjatë procesit të privatizimit mbetet e hapur mundësia e përfshirjes edhe të kompanive shqiptare. Gjithnjë nëse këto të fundit do të mund të plotësojnë kushtet që do të vendosen nga qeveria për pjesëmarrjen në tender.
"Për privatizimin e AlbPetrol-it do të vendosen terma dhe kushte dhe nëse kompanitë shqiptare do t'i plotësojnë ato, patjetër që do të jenë pjesë e garës. Kjo do të jetë një garë që do të bazohet mbi çmimin më të lartë që do të ofrohet dhe mbi gjendjen financiare të investitorit", - tha dje kreu i METE-s.