Prishet hekurudha, në rrezik 80 pasagjerë

Elbasan
Treni i pasagjerëve duke udhëtuar nga Elbasani në drejtim të Librazhdit, në afërsi të fshatit Mirakë për pak ka dalë nga shinat, pasi reshjet e dendura të shiut dhe rrëshqitja e dheut kishin dëmtuar rëndë hekurudhën
ELBASAN - Makinisti dhe punonjës së hekurudhës shmangin një aksident hekurudhor në aksin Elbasan-Librazhd. Ngjarja ka ndodhur dje paradite në segmentin hekurudhor Elbasan-Librazhd, në afërsi të tuneleve të fshatit Mirakë. Treni i pasagjerëve i linjës Tiranë-Pogradec ishte duke udhëtuar nga Elbasani në drejtim të Librazhdit, por në afërsi të fshatit Mirakë reshjet e dendura të shiut dhe rrëshqitja e dheut kanë dëmtuar rëndë hekurudhën.
Punëtorë të mirëmbajtjes dhe makinisti kanë mundur të manovrojnë, duke ndaluar trenin vetëm pak metra larg rrezikut. Lart në tren ndodheshin 80 udhëtarë. Pasagjerët kanë zbritur nga treni dhe Drejtoria e Hekurudhës ka marrë masa për të gjetur autobusë për t’i transportuar ata në drejtim të Pogradecit. Por mjaft prej udhëtarëve më pas janë nisur me mjete të rastit drejt destinacionit të tyre. Përgjegjësi i mirëmbajtjes së linjave, Skënder Sinani, shprehet se udhëtarët kanë qenë në rrezik, pasi hekurudha në këtë vend nuk ishte e sigurt. “Mundëm të njoftojmë makinistin dhe të parandalojmë fatkeqësinë. Morëm të gjitha masat për të zbritur udhëtarët dhe në bashkëpunim me drejtorinë i transportuam ata me autobusë. Por udhëtimi me tren në këtë aks rrugor nuk është i sigurt. Duhen ndërhyrje dhe investime, që traseja të garantojë lëvizjen e trenave”. Ndodhur përballë kësaj situate, Drejtoria e Hekurudhës në Elbasan ka pezulluar pa afat lëvizjen e udhëtarëve në këtë aks rrugor. Specialisti Sinani shprehet se “për këtë qëllim janë njoftuar Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhës në Durrës, e cila do të dërgojë një grup pune për të verifikuar situatën. Më pas do të vendoset për transportin e udhëtarëve”.
Aksi hekurudhor Elbasan-Pogradec është mjaft i pasigurt, për shkak të amortizimit të thellë të hekurudhës, mungesës së investimeve dhe kohës së keqe. Edhe vite të tjera ka pasur raste të daljes së trenave të pasagjerëve nga shinat në këtë aks rrugor, me pasojë plagosjen e udhëtarëve.
M. Kalaja
Shkodër
Shkaktoi aksidentin, pranga 43-vjeçarit
SHKODëR – Policia e Shkodrës ka vënë në pranga dje paradite 43-vjeçarin Myzafer Pëllumbi, lindur dhe banues në fshatin Oblike, komuna Ana e Malit e Rrethit Shkodër.
Arrestimi i tij u bë, pasi mëngjesin e djeshëm, në aksin rrugor Shkodër-Muriqan, në fshatin Zus, komuna Rrethina, pikërisht në vendin e quajtur “Gurorja”, teksa drejtonte automjetin tip “Volsvagen”, furgon, me targa SH 9253 C, është përplasur me automjetin tip “Ford”, furgon, me targa SH 2669 D, i cili drejtohej nga shtetasi B. P., 40 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Obot, komuna Ana e Malit e Shkodrës.
Si pasojë e përplasjes ka gjetur vdekjen e menjëhershme 58-vjeçarja Albina Gocaj, si dhe janë dëmtuar rëndë shtetasit V. G., 57 vjeç dhe V. Gj., 38 vjeç. Të dëmtuarit, të cilët udhëtonin si pasagjerë, ndodhen të shtruar në spitalin rajonal në Shkodër, ku po marrin ndihmën mjekësore. Policia kreu veprimet e duhura procedurale e hetimore dhe materialet në ngarkim të 43-vjeçarit Myzafer Pëllumbi i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve”.