E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Ja SMS e Metës për Edi Ramën, ku Berishën e quan Dragobi

SHKRUAN: Habjon Hasani 19-01-2011 12:33

Dritan Prifti i shpall “luftë” të hapur Ilir Metës, duke paralajmëruar dorëzimin e një dosjeje në prokurori, me abuzimet e 3 muajve si ministër i Ekonomisë. Video të tjera? Nuk është e thjeshtë të vazhdoj i vetëm betejën, megjithë kërcënimet që kam marrë

Tiranë Dritan Prifti i shpall “luftë” të hapur ish-shefit të tij, Ilir Meta. Pas transmetimit të videos, që u pasua me dorëheqjen e Metës nga postet e zv.kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Prifti paralajmëron se është duke përgatitur një tjetër dosje për të, që lidhet me 3 muajt në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës. “Unë këto ditë po përgatitem të shkoj përsëri në Prokurori, me një dosje të re, ku do të denoncoj abuzime dhe vjedhje të Ilir Metës, vetëm në 3 muajt e tij si ministër i Ekonomisë. Ka bërë kërdinë në 3 muaj të vetëm. Do denoncoj dhe pasuritë e tij të fshehura në emra ortakësh e firmash, që shpërndahen në gjithë Shqipërinë, por edhe jashtë saj. Këta banditë qeveritarë kujtojnë se unë jam vetëm në këtë luftë. Unë kam me vete një popull të tërë, që nuk duron ta rrjepin të gjallë, siç po ia bëjnë sot”, - tha Dritan Prifti, në konferencën e djeshme për shtyp, ku garantoi se video e përgjimit të Metës është autentike dhe e paprekur. “Unë mbaj përgjegjësi morale, politike dhe penale, nëse video që kam dorëzuar është e prekur dhe e manipuluar. Loja e montazhit bëhet vetëm për të fituar kohë nga kusarët, që të blejnë mediat dhe drejtësinë. Ata duan të fitojnë kohë të sajojnë gjëra qesharake, si ajo dje në Parlament, ku Meta thotë 7% ishte 6.6% i firmës në QKR, apo 700,000 euro investimi i firmës”, - shtoi ai. Gjatë konferencës për shtyp, Dritan Prifti i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha, të vendosë interesat e vendit mbi ato për të qëndruar në pushtet, me çdo kusht dhe çdo mjet, duke shtuar se Meta është duke e shantazhuar Berishën me votat që ka në Parlament. Gjatë komunikimit të tij me gazetarët, Prifti i ka bërë thirrje prokurorisë të hetojë me shpejtësi, dhe të bëjë transparencë hap pas hapi mbi akuzat e tij publike. “Nëse drejtësia do veprojë drejt dhe pa vonesa me denoncimet e mia të deritanishme, unë do të kem besim të vazhdoj më tej. Ndryshe, familja dhe miqtë më këshillojnë që kam bërë shumë, më shumë se një opozitë e tërë dhe me kaq mjafton”, - tha ai.

Zoti Prifti, thatë pak më parë se akti juaj është thellësisht opozitar. Ju e ndjeni më veten pjesë e maxhorancës, apo jo?

A jam unë opozitar, apo jam me maxhorancën, pyesni ju? Unë jam 100 për qind opozitar. Maxhoranca nuk mund të presë prej Dritan Priftit asnjë lloj vote dhe asnjë lloj mbështetje për asnjë ligj, vendim, projektvendim që sjell në parlament. Jam një opozitar me një guxim shumë më të madh se ata opozitarët e tjerë. I ftoj ata opozitarët e tjerë, të bashkohemi të gjithë së bashku për ta bërë opozitën siç duhet.

A i keni bërë shantazh me videon zotit Meta, që si këmbim ta detyronit të bashkohej me Edi Ramën?

Absolutisht jo. Që ta dini, unë Ilir Metës ia kam treguar brendinë e videos disa herë. Por në asnjë rast, nuk e kam përdorur brendinë e videos për t’i bërë shantazh atij, për të bashkëpunuar me Edi Ramën, apo me ndonjë tjetër. Unë konfirmoj nga takimet me Ilir Metën, se nga komunikimet midis tij dhe Edi Ramës, ka pasur komunikim dhe ka pasur edhe një marrëveshje. Ilir Meta të bëhej kryeministër dhe votat e tyre të bashkoheshin me opozitën. Unë nuk i di të gjitha detajet, por Ilir Meta ma ka konfirmuar këtë fakt, që ai ka qenë pjesë e këtij skenari. Por nuk e mendonte që vota ime do shkonte te PD-ja, nuk mendonte që vota e Shpëtim Idrizit dhe dikujt tjetër në parlament, do të shkonte mbas tij dhe prandaj ndryshoi skenar. Në vend që të vazhdonte me skenarin me PS-në, vendosi të vijë vetë në Ministrinë e Ekonomisë dhe të vazhdojë bashkëpunimin me Berishën. Dje, Berisha ka bërë publike disa komunikime të Edi Ramës me Ilir Metën dhe tha që në atë komunikim, ai cilësohej prej Ramës si njeriu i Dragobisë. Një prej këtyre komunikimeve, e kam edhe unë në celular. Do ta bëj publike. Komunikim që unë e kam marrë dy ose tre ditë mbasi unë jam larguar si ministër. Është një sms, që Ilir Meta ia dërgon Edi Ramës, nëpërmjet një personi që punon te Kullat Binjake, se ata të dy vetë nuk kanë komunikim të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin, por kanë një korrier. Dhe nëpërmjet këtij korrieri, shkonte sms-ja dhe më pas i kalonte Edi Ramës. Në sms shkruhet: “Vlla, si e degjenerova Tan Priftin, do ua bëj të gjithëve, se janë të korruptum dhe të degjenerum. Nga Dragobia po zhgënjehem, po zhgënjehem shumë. Sot i bëra ‘live’ strategjinë time, kush ka veshë e dëgjon”. Ka qenë dita kur Ilir Meta, pas ikjes time, ka bërë një mbledhje në TOB me partinë dhe atje ka dalë si një njeri që do pastronte korrupsionin nga qeveria. Kjo është një provë që tregon që Meta sot e mban Berishën që ta mbështesë me shantazhe, siç më bën dhe mua shantazhe, dhe unë pata guximin ta denoncoj para publikut. Meta, me ato tre votat e veta, i bën Dragobisë shantazh. Nëse e do prokuroria këtë mesazh, do t’ia dorëzoj dhe filli se si ka kaluar mesazhi nga një person te tjetri është plotësisht i verifikueshëm. Pra, jemi dëshmitarë të një loje të fëlliqur, unë shpresoj që drejtësia të bëjë punën e vet, sepse kam parë edhe segmente të medias, plotësisht të dominuara nga qeveria në këto ditë. Askush nuk mund ta fshehë atë që kanë parë të gjithë shqiptarët me zë dhe me figurë.

Ju deklaruat se nëse do merrni mbështetjen e prokurorisë, do publikoni dhe video të tjera. Cilët janë personazhet që shfaqen në këto video dhe kur pritet të publikohen?

Do të kërkoj sinqerisht mirëkuptimin tuaj për vazhdimin e kësaj beteje. Ua thashë edhe njëherë, unë në dhomën e gjumit ku fle, kam dy krevatë bebesh, në të dy anët e krevatit tim. Kam dhe dy fëmijë që shkojnë në shkollë. Nuk është e thjeshtë që me kërcënimet që unë kam marrë këto ditë dhe me informacionet që kam, unë të vazhdoj këtë betejë i vetëm. Kështu që do kërkoj mirëkuptimin e të gjithëve, që mbasi të shoh se drejtësia po vepron dhe nuk po kontrollohet, unë ju jap fjalën që të gjitha gjërat e tjera do dalin në dritë. Kërkoj mirëkuptim, për hir të vazhdimësisë së jetës dhe për hir të familjes. Kam marrë këto ditë kërcënime të jashtëzakonshme. Kërcënime nga vetë goja e Ilir Metës, që u thotë miqve të mi: “Do marr vetë kallashnikovin dhe do ta vras”.

Zoti Prifti, çfarë synonit të arrinit ju duke ia dhënë kryeministrit Berisha videon dhe më pas duke e publikuar, duke qenë se ai e refuzoi këtë lloj videoje, që ju ia ofruat?

Videon Berishës ia kam ofruar si provë të informacioneve të pafundme që i kam dhënë atij, gjatë periudhës që kemi qenë në qeveri bashkë. Berishës i kam treguar, sepse besoja që ai kishte një lloj ndjeshmërie dhe ishte i angazhuar për të luftuar korrupsionin. Pothuajse çdo lloj presioni, çdo lloj kërkese dhe çdo lloj favori që më ka kërkuar Ilir Meta, jo siç thotë Berisha, kur u largova nga detyra, por gjatë gjithë periudhës që kam qenë në detyrë. Ai nuk e pranoi videon dhe më erdhi mirë, kur ai vetë deklaroi publikisht se nuk e kishte pranuar videon. Ky është vetëm një konfirmim, që unë kam thënë të vërtetën. Më vjen shumë mirë që kryeministri e pranoi këtë fakt.

Zoti Prifti, keni deklaruar gjashtë muaj më parë se keni prova dhe keni parë Edi Ramën të marrë kokainë. Kur do i bëni publike këto fakte?

I kam bërë ato publike. Nuk kam dëgjuar të fillojë ndonjë lloj hetim për ato. Nuk më ka thirrur kush për të dhënë asnjë lloj prove apo gjëje tjetër. Unë jam person, i cili bën deklarata të forta, por jo të pamenduara. Person që në disa momente, mund të tregohet më emocional se e do momenti, por jam person që të gjitha fjalëve dhe thënieve, jam i zoti t’u dal në mbështetje deri në fund.

Zoti Prifti, ka disa komente ekspertësh juridikë, të cilët thonë se videoja mund të jetë e paligjshme dhe se ju mund të procedoheni. Keni ndonjë koment?

Shpresa e vetme e Ilir Metës për t’i shpëtuar drejtësisë është që të tregojë se ky lloj regjistrimi është i paligjshëm dhe drejtësia të mos e marrë si provë. Nëse kjo nuk merret si provë, sigurisht që nuk ka çështje penale. Pra, çështja e tij e vetme është se si të gjejë mënyra dhe mundësi, që kjo video të mos merret si provë nga drejtësia. Por unë po të them, që nuk ka asnjë ligj sot në Republikën e Shqipërisë, që të më ndalojë mua të bëj atë që bëra. Verifikoni, kontrolloni të gjithë ligjet në Republikën e Shqipërisë. Ka edhe precedentë në Gjykatë, ku jo vetëm video, por edhe regjistrime janë marrë si provë. Kjo është shpresa e vetme e Ilir Metës, a e dëgjuat që thoshte: “Këto shtatëqind mijë euro janë dëm që i është bërë kompanisë nga vonesat”, ndërsa dje tha: “Këto 700 mijë euro janë investimet që ka bërë deri në atë moment kompania”. Ai përditë nxjerr nga një variant të ri dhe shpresa e tij e vetme është që drejtësia të mos e marrë për provë atë video.

Ju thatë që videoja nuk është e manipuluar, por pas transmetimit të parë, kuptuam se disa pjesë ishin hequr. Si e komentoni?

Vura re që disa pjesë ishin hequr, por pjesë ku kryesisht nuk dëgjohej mirë zëri, por ama u transmetuan pjesët kryesore. Menjëherë, unë bëra një deklaratë për publikun, që video është shfaqur me shkurtime. E rithem edhe njëherë, se pjesët që janë shkurtuar ishin të panevojshme, megjithatë unë në “Top Channel” kam çuar variantin e plotë, të paprekur.

A keni bashkëpunim ju me Edi Ramën dhe a keni ju tani besimin e tij, siç keni pasur më parë besimin e Berishës?

Me Edi Ramën jam takuar një herë, gjatë periudhës që jam larguar nga detyra si ministër, në praninë e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi dhe dy deputetëve të PS-së. Pra, nuk jam takuar vetëm dhe kemi diskutuar për një mënyrë të mëtejshme bashkëpunimi me njëri-tjetrin. Unë jam në opozitë dhe bashkëpunimi me PS-në nuk mund ta shmangia. Se si do jetë bashkëpunimi me PS në të ardhmen, deri tani nuk ka asnjë lloj marrëveshjeje. Deri tani, unë kam përpara disa variante. Kam variantin për të shkuar te PS-ja. Kam variantin për të krijuar një forcë të re politike opozitare, siç mund të kem edhe variantin, që ta lë fare këtë politikë të qelbur dhe të shoh punët e mia, të familjes time dhe hallet e mia. Kjo i mbetet të ardhmes për t’u vendosur.

Zoti Prifti, përmendët në atë bisedë edhe vendimin e një Gjykate Apeli, që pasi u publikua ka pasur disa interpretime. Kujtoj se në fillim kemi pasur një reagim të kryetares së Gjykatës së Lartë, zonjës Beçaj, pastaj një qëndrim të zotit Meta. A mund të na e shpjegoni më qartësisht se cila është e vërteta e datave të këtij vendimi?

Ju si media duhet të nxirrni nëse gënjen Meta apo kryetarja e Gjykatës së Lartë. Pasi sigurisht në media ka pasur deklarata krejt të kundërta. Meta thotë ka dalë në janar, ndërsa Kryetarja e Gjykatës së Lartë thotë se ka dalë në qershor. Unë e di të vërtetën dhe për shkak të sekretit të hetimit, nuk do prononcohem për këtë fakt.

Prej disa muajsh, bashkëpunëtori dhe ish- këshilltari juaj, Eduard Belegu, është shpallur i zhdukur. Do ishte me interes të dinim, nëse ky fakt ka ndonjë lidhje me luftën që ju po zhvilloni tashmë me zotin Ilir Meta. Ka ndonjë lidhje?

Më vjen shumë keq, që për shumë kohë media ka injoruar rastin “Belegu”. Rasti “Belegu”, nëse hetohet deri në fund, pra zhdukja e ish- këshilltarit tim, mund të jetë mbase një nga hetimet e shekullit për këtë vend. Zoti Belegu nuk është larguar në asnjë vend tjetër, siç është varianti i policisë. Policia edhe sot e kësaj dite, familjes së tij shkon dhe i thotë: “Na thoni ku ka shkuar Belegu”. Policia apo prokuroria nuk e ka marrë asnjëherë seriozisht denoncimin tim publik, që zoti Belegu është zhdukur nga të tjerë dhe jo vetë. Mua më vjen shumë keq që drejtësia nuk ka vepruar, por edhe media ka dhënë shumë pak kontribut për të. Edhe në videon që është shfaqur zoti Meta, e përmend zotin Belegu. Ai kishte kohë që më kërkonte largimin e zotit Belegu. Pastaj, duke parë rezistencën time për ta larguar pa arsye, por vetëm për qejf të kryetarit të partisë, unë kam bindjen që ai është i përfshirë edhe në arrestimin e bujshëm që ju bë zotit Belegu në zyrën e tij në ministri, pa asnjë arsye ligjore. Zoti Belegu, mbas disa javësh u nxor nga burgu dhe akuza për të u hoq zyrtarisht nga prokuroria. Imagjinojeni çfarë veprimi i policisë, si në kohën e Enver Hoxhës. Një njeri të pafajshëm, me një akuzë të stisur, të cilët ata vetë e rrëzuan zyrtarisht disa javë më mbrapa, e arrestuan në zyrën e vet në ministri, ishte e gjitha një sulm kundër meje. Për të treguar që njerëzit afër Priftit janë të korruptuar. Unë e ftoj edhe njëherë drejtësinë, ftoj edhe njëherë Presidentin e Republikës, që rastin e Belegut ta marrë si një rast të veçantë dhe t’i kërkojë prokurorisë, pse u arrestua në mënyrën që u arrestua, pse u rrëzua akuza, kush e nxiti dhe ku është zoti Belegu sot? Personin kryesor, që dyshohej në rastin e Belegut, Policia e Shtetit e lejoi që të ikte në Amerikë, dy-tre ditë pas zhdukjes së Belegut. Kemi të bëjmë me një sistem të plotë që punon me një qëllim, për të mbajtur pushtetin. As për të bërë drejtësi dhe as për të përfaqësuar njerëzit që u kanë dhënë votat.

Në gazetën “MAPO” jeni shprehur se segmente nga Prokuroria për Krimet e Rënda dhe nga Policia e Shtetit janë hapur fjalë se organizata “Hakmarrja për Drejtësi” është e interesuar në eliminimin tuaj fizik. Mund ta dimë se kush janë këto segmente, emrat e këtyre zyrtarëve?

Unë nga kolegët tuaj, të një gazete kryesore në Shqipëri, kam marrë disa ditë më parë një informacion që ata e merrnin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Që sikur kjo prokurori po hetonte kërcënimet e vjetra me e-mail që më janë bërë mua, gjatë kohës që isha ministër, sikur ato vinin nga “Hakmarrja për Drejtësi”. Ata nuk m’i kanë thënë mua këto fare, pra unë e kam marrë vesh nga kolegët tuaj, që kanë kontakte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ky informacion, Prokurorisë së Krimeve të Rënda i ka shkuar nga Policia e Shtetit. Unë deklaroj diçka, me “Hakmarrjen për Drejtësi” nuk di emrin e asnjërit prej tyre, as nuk jam takuar ndonjëherë me ndonjërin prej tyre, as më kanë e as i kam ndonjë borxh, asnjërit prej tyre. Kjo më bën të mendoj që po krijohet një lojë. Dikush po mendon të më godasë mua fizikisht, duke përdorur emrin e tyre. Se ata s’kanë asnjë punë me mua. Pra, duhet të jetë një skenar që është më mirë ta bëjë të ditur policia apo Prokuroria e Krimeve të Rënda, pra atje nga ka dalë dhe informacioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›