E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria vë tarifë 0.5 % për ankimuesit e tenderëve

SHKRUAN: Blerina Hoxha 20-01-2011 13:28

Këshilli i Ministrave gjatë mbledhjes së djeshme vendosi, që tarifa për shqyrtimin e ankesës nga KPP-ja të jetë 0.5% e vlerës së fondit limit, të procedurave të ankandit që ankimohet. Nëse nuk fiton, shuma arkëtohet në buxhet. Ja procedurat

Qeveria vë taksë për ankesat në tenderë. Biznesi që merr pjesë në një tender dhe do të ankohet në rrugë zyrtare do të paguajë një tarifë paraprake, prej 0.5 për qind të vlerës së fondit limit të procedurave të ankandit që ankimohet. Vendimin për vendosjen e kësaj tarife të re shërbimi ndaj bizneseve, e vendosi Këshilli i Ministrave gjatë mbledhjes së djeshme. Sipas VKM-së, çdo ankesë për prokurimet publike tashmë do të shoqërohet me një procedurë të veçantë dhe tarifë gjithashtu. Sipas vendimit, ankesa e paraqitur në rrugë elektronike, pranë Komisionit të Prokurimit Publik nga çdo person që ka ose ka pasur një interes të ligjshëm në një procedurë ankandi, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në ligjin “Për ankandin publik”, të ndryshuar, duhet të përmbajë dokumentin bankar, që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse. Gjithashtu, VKM saktëson se, përjashtimisht, kur legjislacioni në fuqi parashikon një mjet tjetër komunikimi, ankesa e paraqitur pranë Komisionit shoqërohet me dokumentin bankar, që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse, në numrin e llogarisë së KPP-së. “Tarifa për shqyrtimin e ankesës nga KPP-ja është 0.5% e vlerës së fondit limit të procedurave të ankandit që ankimohet”, cilësohet në vendimin e qeverisë. Parapagimi i tarifës nga ankuesi përbën element të domosdoshëm për paraqitjen e ankesës, ndërsa moskryerja e saj përbën shkak për mospranimin e ankesës nga KKP-ja. Por qeveria cilëson se, pagesa e tarifës i kthehet ankimuesit kur, në fund të procesit të ankimit, ankesa e tij pranohet. Kur ankesa nuk pranohet, të ardhurat e arkëtuara nga tarifa e ankimimit derdhen 100% në buxhetin e shtetit. Mirëpo, pavarësisht se aplikimet on-line në prokurimet publike janë konsideruar revolucion ndaj korrupsionit, ankesat në drejtim të tyre janë të shumta. Praktika e deritanishme ka treguar se nuk ka tender që kalon pa ankimime nga kompanitë e vëna në garë. Nga një anketim, që ka bërë financuesi i projektit të prokurimeve publike on-line USAID, është vërejtur se vetëm 19% të bizneseve kanë besim për mënyrën e përcaktimit te fituesit, e cila është korrekte, pjesa tjetër ka dyshime. Një raport i Dhomës Amerikane të Tregtisë, i cili ka anketuar bizneset në vend, evidenton se ata kanë ankesa ndaj procesit të tenderimeve. Kështu rreth 70% e të pyeturve pohojnë se nivelin e besimit e kanë në funksionin e procedurave, nëpërmjet internetit dhe vetëm 19% të bizneseve kanë besim për mënyrën e përcaktimit të fituesit, e cila është korrekte, pjesa tjetër ka dyshime për këtë procedurë. Problemet teknike, që lidhen me shpejtësinë e internetit, mbeten një shqetësim kryesor për bizneset. Faqja e agjencisë nga e cila merret informacioni, mbetet e vështirë për t’u klikuar gjatës ditës. Nisur nga kjo situatë, raporti ka bërë edhe disa rekomandime. Por raporti evidenton si sukses faktin që për një pjesë të mirë të bizneseve, janë reduktuar kostot dhe burokracitë për të marrë pjesë në tender. Ky fakt ka bërë të mundur që një pjesë e mirë e tyre të marrin informacion brenda një dite. Prokurimet publike on-line, nisën që nga viti 2009 në vendin tonë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›