E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Marrëdhëniet e mia me Metën dhe e vërteta e videos

 Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti ka dëshmuar dje në Gjykatën e Lartë në lidhje me videon me Ilir Metën. Duke dhënë një shpjegim të gjatë të marrëdhënieve të tij me Metën, Prifti e ka nisur rrëfimin që nga momentet e para të njohjes. Duke shpjeguar 12 vjet njohje, Prifti është fokusuar tek acarimi i marrëdhënieve mes tyre dhe asaj që ndodhi më pas. Sipas Priftit, marrëdhënia e tij me Metën ishte bërë shumë stresuese pasi ky i fundit vetëm sa i kërkonte favore personale për koncesione, tenderë, ankande apo licenca të shumta. Për të gjitha këto raste Prifti tha se ka informuar edhe kryeministrin Berisha, por asgjë nuk ka ndodhur. Më pas Prifti iu përgjigj pyetjeve në lidhje me videon ku shpjegoi se ajo është origjinale dhe se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje. Prokuroria e ka pyetur Priftin edhe për marrëdhëniet me personat e tjerë, të cilëve u përmendet emri në video.

Më poshtë pyetje përgjigjet e djeshme në Gjykatën e Lartë:

 Kryetari i seancës, Ardian Dvorani: Ju paralajmërojmë për përgjegjësitë për të thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, përndryshe jeni subjekt i të drejtës penale për dëshmi të rremë

Dritan Prifti: Betohem

Gjyqtari: Cili është profesioni që ju keni?

Dritan Prifti: Deputet

Gjyqtari: Jo zoti Prifti, cili është profesioni juaj?

Dritan Prifti: Ekonomist

Prokurori: A mund të na shpjegoni marrëdhënien që keni pasur me zotin Ilir Meta. Rrethanat që ju shtynë të bënit regjistrimin?

Dritan Prifti: Kjo është një pyetje që ka të bëjë me një marrëdhënie mëse 12 vjeçare që unë kam pasur me Z. Meta. Por do të përpiqem ti bie shkurt dhe në mënyrë të përmbledhur. Në përgjithësi kam pasur me z. Ilir Meta një marrëdhënie të gjatë, por që shpesh herë ishte problematike. Që në fillimet e njohjes sonë, më 1999- 2000, fillimisht ka qenë një marrëdhënie miqësore dhe e ngushtë. Jam përpjekur që të jem korrekt, bashkëpunues dhe mbështetës, z. Meta ka qenë në pozita më të larta se unë politikisht, unë kam qenë vartësi i tij. Në 2009 kur u bënë zgjedhjet, LSI vendosi të bëjë koalicion me PD. Ne vendosëm të hyjmë në bashkëqeverisje dhe ky vendim nuk ishte i lehtë. Kam qenë i pari deputet i kuvendit që isha pro kësaj aleance. Këtu nisën momentet e xhelozisë, mbase se unë mora rolin e protagonistit. Në atë kohë Berisha më kërkoi mua të isha negociator i kësaj qeverisjeje dhe e përsëris, këtu filloi marrëdhënia xheloze dhe e sëmurë. Por po kaloj tek marrëdhënia e drejtpërdrejtë që nga periudha kur unë drejtoja Ministrinë e Ekonomisë. Fillimisht, kur isha në këtë detyrë, me Metën pata marrëdhënie normale. Në janar 2010, marrëdhënia filloi të bëhej stresante, sepse z. Meta filloi të bënte kërkesa të ndryshme dhe të shumta. Kërkesa për punësime të ndryshme në ministri apo dikastere që vareshin nga ministria. Kërkesa që kishin të bënin me funksione të tjera për të ndihmuar persona të ndryshëm për koncesione, tenderë, ankande apo licenca të shumta. Për hir të së vërtetës, disa kërkesa që i quaja normale, i plotësoja. Të tjerat që ishin jo normale dhe jo të ligjshme, i refuzoja. Gjithmonë i kam zbatuar kërkesat brenda ligjit. Për raste që unë nuk kisha mundësi ti plotësoja, Meta fillimisht bënte kritika, thoshte pakënaqësi dhe më pas filloi me kërcënime dhe metoda të tjera si shpërndarje thashethemesh për personin tim dhe për largimin tim nga detyra. Në shkurt 2010, unë mësoj për një kërkese të z. Meta për largimin tim nga detyra. Mësoj nga kryeministri që Meta donte vendin tim dhe unë të shkoja diku tjetër. Pikërisht në këtë muaj disa njerëz më kanë kërcënuar ose te zbatoja urdhrat ose do ikja nga detyra. Ja kam thënë Metës, ai ka qeshur. I kam thënë edhe emrat e kërcënuesve dhe ai më tha që ska asgjë të keqe që të vij unë në atë ministri dhe ti të shkosh i Jashtëm. Megjithatë, i diskutuam gjërat dhe ramë dakord që kjo bisedë do hapej me sinqeritet në muajt në vazhdim. Për çdo kërkesë që çmoja normale e kisha bërë zakon që informoja edhe kryeministrin, madje dhe për çështje që zgjidheshin me para në dorë. Një moment Berisha më tha që do flasë me Metën, por pashë që nuk u zgjidh asgjë. Filluan sërish kërkesat nga Meta për favore. Unë e njoh zotin Meta, ai është një person fals. E njoh mirë

Gjykata Ju smund të jepni opinionet tuaja për personin tjetër. Jeni këtu për të dëshmuar, jo të jepni epitete për personalitetin e tij. Nuk ju lejohet.

Dritan Prifti: Do të përpiqem të zbatoj porositë tuaja, por për tju sqaruar juve se çfarë më shtyu të bëj regjistrimin, bëra një përshkrim të detajuar. Por do shmang ca përshkrim rreth tij më tej.

Gjykata: Gjuha shqipe ju ofron fjalë që ta tregoni situatë përreth personit. Nuk lejohet ti referoheni karakterit të tij.

Avokatët: Dëshmitari po flet gjatë, të dilet në temë.

Dritan Prifti: Unë thashë që nga muaji shkurt 2010 deri në fund si ministër, nuk mbaj mend ndonjë takim ku Meta të mos më ketë kërkuar favore. Pra u kthyer në një marrëdhënie kërkesash. Në një rast, ku dëshmitar në këtë proces është një nga dëshmitarët e naftës, që e keni thirrur sot, kam qenë i sëmurë dhe zoti Meta ka ardhur në shtëpi, më ka hequr jorganin. Unë kthye stresante. Unë vendosa të regjistroj në këtë pikë. Më tha në telefon që do vijë në zyrë të të takoj dhe vendosa ta regjistroj për ta pasur si provë, që kur të ishte nevoja të bëhej publike, ti jepej drejtësisë.

Prokurori: Ju kujtohet si datë, si muaj? Ku e bëtë bisedën?

Dritan Prifti: Është bërë mesa mbaj mend në fillim të marsit rreth orës 1 të drekës. Në telefon Meta më tha që do ikte jashtë, kështu me tha: Po vij direkt se do të iki në aeroport.

Prokurori: Çfarë bisede bëtë?

Dritan Prifti: Ajo bisedë është bërë publike në Top Channel. Aty janë trajtuar disa çështje, e para çështja e Artur Hajdarit, pastaj ai i kishte radhitur gjërat në një bllok që e mbante në dorë. Diskutoi gjërat për Albpetrol, pastaj u diskutua për një koncesion për të cilin konkurronin dy kompani. Por kemi diskutuar edhe për gjëra të tjera për shembull për drejtorin e KESH-it ku flitej për ta zëvendësuar.

Prokurori: Bazuar në këtë regjistrim ne kemi ngritur akuze për koncesionin dhe çështjen e naftës bruto. Na tregoni detaje për këto dy çështje?

Dritan Prifti: Unë do përqendrohem fillimisht tek biseda e videos. Por nëse është e nevojshme do dal edhe jashtë konteksit. Z.Meta, gjatë takimit në zyrën time më kujtoi të zbatoja çfarë kishim diskutuar lidhur me ankandin për mikun e tij Bekim Halilaj. I thashë po do ta bëj, ai nguli këmbë mbaroje, pse se mbaron, anuloje, pse se anulon? më tha për çështjen tjetër jepe shpejt, por unë e dija që ishte në gjykatën e Apelit. Zoti Meta më tha jo çështja në apel ka përfunduar, zbatoje menjëherë sot. Gjatë bisedës telefonoi Agim Rrapajn, fola me të, i kërkova të dërgonin vendimin e gjykatës që unë të bëja punën sipas ligjit. Në një moment Meta më thotë mua që ky Gimi për ty ka 7%. Kjo ishte ajo që mbaj mend nga biseda.

Prokurori: A mund ta zgjeroni dëshminë jashtë videos. Në perceptimin tuaj ndërhyrjet e tij për koncesionin ishin për shkak të pozitës apo të kundërligjshme?

Dritan Prifti: Për mendimin tim ishin të kundërligjshme. Për 7%, nuk besoj se ka njeri në botë mos ta kuptojë

Prokurori: Ofrimi i 7% apo 700 mijëshes, ishte favor për juve?

Gjykata: Pyetja është sugjestionuese. Të përpilohet ndryshe

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›