Qeveria lë pa lekë Gjykatën Kushtetuese dhe Avokatin e Popullit
Marrëdhëniet e ngrira mes mazhorancës qeverisëse dhe ato që njihen si institucione të pavarura janë reflektuar dukshëm edhe në buxhetin e vitit 2012. Një ndër këto institucione, Gjykata Kushtetuese, është prekur ndjeshëm nga shkurtimi i fondeve duke u vendosur në vështirësi veprimtarinë për vitin e ardhshëm. Në kërkesën drejtuar Komisionit të Ligjeve, Gjykata Kushtetuese kërkon edhe 34 milionë lekë shtesë. Pjesa më e madhe e saj kërkohet për të plotësuar nevojat për pagat, sigurimet shoqërore dhe shpenzime të tjera ndërsa pjesa tjetër për investime. Kërkesat e pambuluara në projektbuxhetin e vitit 2012, për Gjykatën Kushtetuese janë rreth +20, 600 mijë lekë nga të cilat për shpenzimet korente me +13400 mijë lekë dhe për investimet me + 7200 mijë lekë,- thuhet në kërkesën përcjellë këtij institucioni.
I pambuluar mbetet edhe zëri për mallra dhe shërbime që janë parashikuar nga ky institucion për festimin e 20 vjetorit të saj dhe për zbatimin e marrëveshjeve me gjykatat homologe. Situata e rënduar ekonomike e këtij institucioni detyroi dje Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese që ti kërkojë personalisht kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmali pranimin e kërkesës për shtim fondi. Takimi informal u zhvilluar në një nga lokalet pranë Kuvendit midis dy kryetarëve. Problematike situate paraqitet edhe në institucionin e Avokatit të Popullit ku kriza ekonomike do detyrojë këtë institucion që të shkarkojë shoferët dhe punëtorët e pastrimit. Trajtimi i tyre në projektbuxhetin e vitit 2012 është bërë mbi Vendimin e Këshillit të Ministrave. Edhe pse Gjykata Kushtetuese i garanton institucioneve të pavarura të drejtën e përcaktimit të organikës, VKM-të dhe buxheti i detyrojnë në mënyrë indirekte që të ndryshojnë ose të përshtatin organikën. L. Tanushi
Prokuroria: Na është shkurtuar fondi i investimeve
Prokuroria e Përgjithshme ngriti dje shqetësimin për mungesë fondesh për realizimin e investimeve të parashikuara për vitin e ardhshëm. Sekretari i Përgjithshëm i organit të Akuzës, Pandi Madhi, deklaroi se nga 175 milionë lekë të kërkuara, do të jepen vetëm 140 milionë lekë. Dy vërejtje që lidhen me fondin e veçantë që nuk është parashikuar te fondi i pagave, një shumë prej 42 milionë lekësh. Dhe në 2011 kemi pasur mirëkuptim dhe kemi shpërblyer prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore. Ndaj mendojmë se duhet të jetë në buxhet. E dyta janë investimet, ka zbritje prej rreth 35 milionë lekë për ndërtimin e Prokurorisë së Shkodrës, e cila duhet të niste në 2012 dhe të mbaronte në 2013. Janë dhe investime të tjera që janë hequr për pajisjet elektronike, deklaroi përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme.
Sipas Drejtoreshës së Buxhetit në Ministrinë e Financave, ka ndryshuar vetëm procedura që do të ndiqet për dhënien e fondit të veçantë. Kjo nuk pengon zbatimin e ligjit, në momentin që do shpërblejnë do bëjnë kërkesën dhe ne e rialokojmë. Në lidhje me investimet me shikimet e kuadrit makro, janë reduktuar investimet dhe parimi si për çdo institucion tjetër ka qenë heqja e objekteve të reja. Këto reduktime nuk cenojnë punën e prokurorisë, deklaroi Mimoza Dhëmbi.
PD akuza Kreshnik Spahiut për fondet e KLD-së
Mazhoranca ka akuzuar dje nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu se po përdor buxhetin e institucionit për qëllimet e tij personale. Të habitur nga fakti se KLD nuk kërkoi rritje të buxhetit për vitin 2012, deputeti demokrat Enkelejd Alibeja kërkoi të informohet nga përfaqësuesja e KLD-së se sa kontrolle ushtrohen ne gjyqësor me këtë buxhet, por dhe sa udhëtime jashtë vendit apo dieta sigurohen. Por deputeti Fino ka reaguar me njëherë duke riformuluar pyetjen e zoti Alibeaj dhe duke vënë theksin tek sulmi që mazhoranca e i bën Spahiut. Përfaqësuesja e këtij institucioni Shpresa Kekezi siguroi se fondet për KLD-në përdoren vetëm për inspektimet në gjykata. Mazhoranca ka bënë në qendër të kritikave të saj në dy të KLD-së Spahiu duke e akuzuar për shpërdorim të postit shtetëror për interesa personale.
Reformë në Ministrinë e Drejtësisë, ikin 100 punonjës
Ministria e Drejtësisë do të shkurtojë 100 punonjës nga organika e saj për vitin e ardhshëm. Ministri Eduard Halimi deklaroi se shkurtimet do të prekin më shumë përmbaruesit duke ia lënë këtë shërbim në vitet e ardhshme tërësisht përmbarimit privat. Numri i punonjësve ulet edhe pse rriten institucionet. Do shkurtohen 100 punonjës duke ulur buxhetin në zërin e pagave me 44 milionë lekë. Kursimet nga shkurtimet kanë kaluar në zërin e investimeve. Nga shtatori është bërë riorganizim i gjithë institucioneve duke i bërë më eficente. Pjesa më drastike që janë shkurtuar është sistemi i përmbarimit. Në 2007 ka nisur projekti për përmbarimin privat ndërsa numri i punonjësve vazhdon ai i 2001, 168 punonjës. Aktualisht janë rreth 70 përmbaruesë privatë, ndaj është ulur numri i punonjësve në këtë strukturë me 50 % punonjës. Deri në 2013 do kemi përmbarim privat të plotë ndaj vitin tjetër do ulet prapë numri. Është ulur dhe numri i punonjësve të administratës në Ministrinë e Drejtësisë, në burgje, në hipotekë duke bërë përshtatje të strukturave dhe me vendimin e qeverisë të korrikut mbi modelimi se si duhet të jetë një administratë e vogël e eficente, deklaroi Halimi.
Gjykatata: Është shtuar personeli, duam më shumë para
Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor do të ketë një shtesë të numrit të punonjësve për këtë vit dhe ka kërkuar nga Ministria e Financave një shtesë parash. Në shkresën zyrtare thuhet se qëllimi i shtimit të fondeve është për të mbuluar shtimin e numrit të punonjësve dhe për shpenzimet operative. Përfaqësuesit e këtij institucioni deklaruan se dekreti i presidentit përcakton që nga shtatori të shtohen në organikë edhe tre gjyqtarë, dhe po aq edhe gjatë vitit 2012. Në kushtet e respektimit të raportit të drejtë gjyqtar, sekretare gjyqësore në këtë gjykatë, kërkohet automatikisht edhe shtesa e gjashtë sekretareve gjyqësore. Buxheti i propozuar për shpenzime operative për vitin 2012 për gjykatat është rreth 285 milionë lekë, kundrejt kërkesës prej 330 milionë lekësh. Sipas planit, këto pagesa janë të domosdoshme pas rritjes me pesë për qind të numrit të çështjeve gjyqësore, inflacionit si dhe rritjes së çmimit të mallrave. Blerja e karburantit paraqitet një nga vështirësitë më të mëdha si pasojë e çmimit të tij të rritur me 30 për qind kundrejt një viti më parë. Problematike mbetet edhe ruajtja e godinave, e cila rrezikon që të vihet në vështirësi.
Avokati i Popullit
Pagat 58,061,000 lekë
Sigurimet shoqërore 7,350,000 lekë
Shpenzime operative 13,000,000 Iekë
Kuota anëtarësie 300,000 lekë
Investime 1,500,000 lekë
Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor
EMERTIMI Buxheti 2011 Buxheti i propozuar Kërkesa
Shpenzime personeli 1,311,000 1,311,611 1,430,976
Shpenzime operative 300,000 284,792 329,345
Investime 165,000 180,000 362.495
Total buxheti 1,776,000 1,776,403 2,122,816 1
Numri i punonjësve 1.192 1.192 1.243