Prifti: Meta një tartabiq, Braho i korruptuar
TIRANË Pas deklaratave të dy ditëve më parë të kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili u vetëdeklarua si një luan përpara kundërshtarit të tij, ka ardhur dje edhe reagimi i Dritan Priftit. Në një deklaratë zyrtare, ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, akuzon Metën së bashku me familjen e tij si të zhytur në vorbullën e korrupsionit. Madje, ai shprehet se familja e ish-zv.kryeministrit Meta është inkriminuar aq shumë, saqë është kthyer tashmë “në tartabiqe të fryra nga gjaku i njerëzve”. Ndërkohë, sipas Priftit, Ilir Meta ka mbetur pa mbështetësit dhe përkrahësit e tij. Prifti deklaron përmes një qëndrimi zyrtar se “Meta sot është i vetëm pas tradhtisë që u ka bërë, të gjithë miqve e kolegëve të shkuar”. Më tej, në deklaratën e tij, Prifti përmend ndër të tjera edhe rolin e pozicionin e Spartak Brahos përsa i përket marrëdhënieve të tij me Metën. Prifti e cilëson Spartak Brahon “si një njeri tërësisht të korruptuar dhe që është flamurtar i fitimeve të padrejta, duke e kurorëzuar atë me gjyqin e Metës”. Nga ana tjetër, pavarësisht të gjitha këtyre akuzave, Prifti u shpreh optimist për vënien në vend të drejtësisë. Ish-ministri i LSI-së ka theksuar se drejtësia do të vihet në vend e këtë e presin, sipas tij, të gjithë shqiptarët. Dy ditë më parë kreu i LSI-së, Ilir Meta, e konsideroi Dritan Priftin si një “mi moçalishtesh, që pasi ka kthyer një gotë ia thotë mendja të ndeshet me një luan”. “Kur kam qenë njeri i sporteve të rënda, dhe në sportet e rënda ka disa standarde, nuk mund të ndeshet një i peshës së madhe me një të peshës së papërfillshme. Pra, nuk mund të ndeshet një luan me një mi moçalishtesh, se ai mund të ketë pirë një gotë raki dhe për momentin i duket vetja i gjithëfuqishëm, për arsye se rakinë nuk e mban dot”, u shpreh Meta dy ditë më parë.
E.Mrruku