E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Në 2010-n kredia për biznesin e vogël e të mesëm, 10 milionë euro



Ministri ka kërkuar kredi nga BEI në vlerë prej 50 milionë eurosh

Përparësi, ndërmarrjet prodhuese dhe ato që punësojnë njerëz të rinj

Ndërmarrjet prodhuese, eksportuese dhe ato që do të shtojnë numrin të punësuarve do të gjejnë mbështetje financiare nga shteti nëpërmjet kredive të buta që sigurohen në bashkëpunim me qeveritë e vendeve të BE-së apo bankave ndërkombëtare. Ky është premtimi që ka bërë ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në daljen e përjavshme para medias ministri Prifti premtoi se për vitin 2010 mbështetja financiare për SME-të do të jetë më e lartë se ajo që ishte për vitin 2009. Prifti bëri me dije se për vitin 2010 pritet që linja e kredisë për SME-të të jetë rreth 10 milionë euro nga 5 milionë euro që ishte në vitin 2009. Veç kësaj kredie METE po negocion me banka të rëndësishme ndërkombëtare për të siguruar një linjtë të re kredie në një vlerë të konsiderueshme, e cila do të ishte një mbështetje shumë e madhe për biznesin shqiptar, kryesisht atë prodhues dhe eksportues. “Lajmi i mirë është se në vitin 2010 në të njëjtën linjë kreditimi ne do të kemi 10 milionë euro në dispozicion të biznesit shqiptar për të kredituar përsëri ndërmarrjet prodhuese, ndërmarrjet që eksportojnë dhe ndërmarrjet që punësojnë njerëz të rinj”, - theksoi ministri Prifti. Ai siguroi se për vitin që vjen, po bëhen të gjitha përpjekjet nga ana e tij që mbështetja me kredi të buta për biznesin të jetë sa më e madhe, për këtë ai bëri me dije se ka nisur negociatat me drejtues të Bankës Evropiane për Investime (BEI) për të marrë kredi për vitin që vjen. “Kam pasur drejtorin rajonal të Bankës Evropiane te Investime (BEI) në zyrën time, ku i kam kërkuar atij një kredi për të mbështetur biznesin, nëpërmjet bankave të nivelit të dytë prej 50 milionë eurosh, të bëhet efektive vitin që vjen”, - ka bërë të ditur ministri Prifti. Aktualisht, biznesi është duke u mbështetur me kredi të buta nga një linjë kredie, si rezultat i marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, ku programi ka një financim rreth 30 milionë eurosh që përfshin: 25 milionë euro kredi e butë dhe përbëjnë fondin për linjën e kredisë në favor të NVM-ve; 2.5 milionë euro Fondi i Garancisë që mundëson NVM shqiptare të kenë një mundësi më të madhe për të marrë kredi dhe 1.7 milion janë dhuratë për aktivitete të asistencës teknike. Programi i përbashkët italo-shqiptar u çel zyrtarisht në janar 2009 dhe për realizimin e tij janë nënshkruar marrëveshje me pesë bankat partnere (Credins, BKT, Tirana Bank, Raiffeisen Bank, BIS Banka) dhe bankën agjente, Intesa SanPaolo. Deri më 13 nëntor 2009 janë financuar 14 kompani në një vlerë totale financimi 3.4 milionë euro dhe me norma interesi 5.5%. Kompanitë e financuara operojnë në sektorë: si prodhimi i këpucëve, përpunim mermeri dhe graniti, përpunim agro-bujqësor dhe ushqimor, prodhime duralumini, përpunim druri si dhe punime nëntokësore dhe janë me qendër në zonat rurale, si Lushnjë, Korçë, Krujë, Berat, Patos-Fier, Shkodër si dhe Tiranë. Për të parë realizimin e këtyre projekteve nga afër disa ndërmarrje të financuara nga kjo linjë kredie janë vizituar dy ditë më parë nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikes, Dritan Prifti, dhe ambasadori italian në Tiranë, D’Elia.

Prifti: Nuk ndërhyj mes OSSH-së dhe ERE-s

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH)

Tashmë prej disa javësh janë në konflikt mes tyre për papajtueshmërinë e nivelit të humbjeve në rrjet. OSSH nga njëra anë pretendon se humbjet në rrjet janë në një nivel prej 35.7 për qind dhe për rrjedhojë ajo ka kërkuar nga ERE rritje të konsiderueshme të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2010. Nga ana tjetër ERE, që është institucioni që miraton ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike, nuk e ka pranuar nivelin e humbjeve të pretenduar nga OSSH-ja, duke u deklaruar se, sipas tyre, niveli i humbjeve është rreth 32 për qind dhe si rezultat, nuk mund të kërkohet një rritje te tarifave të energjisë aq sa i kërkon OSSH-ja. Ministri Prifti, i pyetur për këtë konflikt mes institucionit të ERE-s dhe shoqërisë OSSH, ka preferuar të mos marrë në mbrojtje asnjërën prej palëve. “Unë nuk mund dhe nuk kam pse të ndërhyj në këtë situatë”, - tha ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti. Ministri sqaroi dje se është e përcaktuar në kontratën e privatizimit që humbjet do të vendosen nga një kompani audituese e pavarur, gjë të cilën OSSH e ka bërë. Por, në rast se do të pranohet niveli i humbjeve, aq sa e kërkon kompania private, atëherë edhe tarifat e energjisë që do të vendosen, do të jenë më të larta, por kjo gjë është kontestuar nga ERE që kur OSSH-ja paraqiti pranë këtij institucioni kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë. OSSH ka aplikuar që tarifat për familjarët të rriten mbi 20 për qind duke nisur nga 1 janari i vitit 2010. Në fund të këtij viti Enti Rregullator i Energjisë (ERE), ka paralajmëruar se do të përcaktojë se sa do të jenë tarifat duke nisur nga viti i ardhshëm për abonentët familjarë dhe të tjerë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›