Prifti: OSSH të garantojë furnizimin për 24 orë
Në kontratën e saj kompania CEZ, që ka privatizuar OSSH-në, ka marrë angazhim që të furnizojë pa ndërprerje me energji elektrike konsumatorët shqiptarë. Këtë fakt ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, iu ka rikujtuar edhe një herë dje drejtuesve të OSSH-së, se ndërprerjet kolektive janë shkelje e kësaj kontrate. Ministri Prifti doli dje para gazetarëve dhe iu drejtua publikisht drejtuesve të OSSH-së, që të mos bëjnë ndërprerje të energjisë elektrike në mënyrë kolektive, duke dënuar kështu shumë konsumatorë që janë pagues të rregullt të energjisë që konsumojnë. Gjatë këtyre ditëve, në disa zona të vendit banorët kanë dalë në protesta për ndërprerje të energjisë në mënyrë të padrejtë. Kjo ka nxitur ministrin Prifti t’i bëjë thirrje publikisht OSSH-së, që të garantojë furnizimin normal me energji të konsumatorëve. Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, i kërkon kompanisë çeke, CEZ, që është edhe pronari i ri OSSH-së që të mos bëjë kufizime të energjisë për qytetarët, ashtu siç po vihet re ditët e fundit në disa zona të vendit. Ministri bëri me dije dje se në kontratën me shtetin shqiptar, investitori ka marrë përsipër të furnizojë pa ndërprerje me energji qytetarët dhe në rastin e mosshlyerjes së detyrimeve, të bëjë ndërprerje individuale. “Nga informacionet që kam marrë ditët e fundit, të cilat dhe i kam verifikuar, më del që OSSH-ja në një mënyrë të padrejtë është duke bërë stakime dhe për zona të tjera në Shqipëri, për të cilat nuk duhet të bëjë stakime. Ne kemi firmosur një marrëveshje me OSSH-në, që të ketë furnizim 100% për të gjithë konsumatorët, kemi një marrëveshje që nuk mund të ketë dënime kolektive. Edhe pse një pjesë e një lagjeje nuk paguan energji elektrike nuk mund të vuajë e gjithë lagjja apo i gjithë qyteti. Në qoftë se kanë pakënaqësi në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë nuk mund të reagojnë duke ndërprerë energjinë elektrike, sepse në këtë nuk do ta lejojmë”, - theksoi ministri Prifti. Por në fakt, situata e ndërprerjeve, apo stakime kolektive duket se ka nisur pak pasi ERE miratoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike në masën 13%, rritje kjo që nuk plotësoi kërkesën e OSSH-së për një rritje prej 23 për qind vetëm për vitin 2010.
Ministri Prifti nëpërmjet konferencës për shtyp i është drejtuar çekëve të OSSH-së, se për çdo pakënaqësi, ata mund t’i drejtohen gjykatës, por nuk mund të penalizojnë konsumatorët duke ndërprerë energjinë elektrike. “Ka hallka ankimimi në rast se kompania nuk është e kënaqur me rritjen e çmimeve, mund t’i drejtohet Entit Rregullator, mund të ketë një ent të pavarur, i cili mund të marrë në konsideratë të dyja pretendimet e palëve, në të kundërt t’i drejtohet gjykatave. Por nuk mundet që një kompani të reagojë me inat ndaj konsumatorëve duke i prerë energjinë, pasi qeveria nuk do ta lejojë”, - u shpreh Prifti. Ministri me këtë deklaratë ka kërkuar nga çekët e OSSH-së, që të jetën korrektë me kontratën e nënshkruar mes tyre dhe qeverisë shqiptare. Ministri Prifti bëri me dije se qeveria do të jetë e gatshme të marrë çdo masë për të garantuar furnizimin e qytetarëve me energji. Prifti iu kujtoi çekëve të OSSH-së se ka një marrëveshje mes palëve, që nuk do të ketë dënime kolektive. Por duket se qeveria e ka gjetur mënyrën për të frenuar veprimin hakmarrës të pronarëve çekë. Prifti tha se qeveria është e gatshme të shlyejë borxhet, që një pjesë e institucioneve shtetërore i kanë kompanisë private. Këto detyrime të prapambetura të energjisë të institucioneve shtetërore, kapin një borxh që sipas OSSH-së, arrin në rreth 3 miliardë lekë.
Shtresat në nevojë, kompensim për rritjen e çmimit të energjisë
Familjet në nevojë do të kompensohen nga qeveria për rritjen e çmimit të energjisë, që duke nisur nga data 1 janar 2010 do të jetë 13 për qind më shtrenjtë se ai që është aktualisht. Ministri Prifti tha dje në konferencë shtypi se shtresat në nevojë do të përfitojnë një shumë të përcaktuar për çdo muaj. Secila prej tyre do të përfitojë 960 lekë në muaj nga rritja e çmimit të energjisë, para këto që do të merren gjatë muajit janar të vitit 2010, kohë kur hyjnë në fuqi edhe tarifat e rritura. Nga kompensimi do të përfitojnë 280 mijë familje. Kategoritë që do të marrin kompensim janë: pensionistët, invalidët, buxhetorët me pagë nën 35 mijë lekë në muaj, familjet me ndihmë ekonomike etj. Fondi i vënë në dispozicion arrin në 1.7 miliard lekë. Ky kompensim përfshin të gjitha rritjet që janë bërë nga vitet e kaluara, duke përfshirë këtu edhe rritjen që do të bëhet për vitin 2010, çka është planifikuar dhe përfshirë edhe në buxhetin e këtij viti, - theksoi z. Prifti. Nga ana tjetër, ministri ka nënvizuar faktin se nuk do të hasen shqetësime apo probleme gjatë realizimit të këtij procesi. Rreth 79% e familjeve shqiptare konsumojnë më pak se 300 kilovat/orë energji në muaj. Pra, për 79% të familjeve shqiptare, rritja e çmimit nuk është 13%, por është vetëm 10%, sepse pjesa nga 0-300 kilovat orë energji në muaj është rritur vetëm 10% dhe çmimi nga 7 lekë që ka qenë është bërë në 7.7 lekë, - sqaroi z. Prifti. “Prandaj do të doja t’u thosha që ky subvencion dhe kjo mbështetje nga buxheti është dhe do të jetë e sigurt gjatë gjithë vitit 2010 për të gjitha këto familje”, - ka nënvizuar më tej ministri Prifti.