E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, Xhons: Shqipëria po përmbush aspiratat integruese



Zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Stjuart Xhons, siguroi dje kreun e shtetit, Bamir Topi, se qeveria amerikane do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm proceset integruese të Shqipërisë në NATO, por edhe përmbushjen e aspiratave integruese të popullit shqiptar, duke nënvizuar rëndësinë e reformës në drejtësi dhe mbrojtjen e konsolidimin e institucioneve të pavarura dhe ndarjes së pushteteve. Z. Xhons vlerësoi dje rolin e rëndësishëm e moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, duke theksuar nevojën që tashmë, pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës, mbarë Ballkani duhet të projektohet drejt një zhvillimi të plotë integrues dhe bashkëpunimi më të ngushtë ekonomik. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Në këtë takim, Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira tradicionale dhe bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve tona dhe shprehu besimin se këto marrëdhënie do të arrijnë në nivele edhe më të larta, pas anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO. Në këtë kuadër, kreu i shtetit i shprehu z. Xhons falënderimet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë për miratimin së fundmi, nga Senati i SHBA-së i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe nënshkrimin e këtij protokolli nga Presidenti Bush. Kreu i shtetit shqiptar, duke nënvizuar se ky vendim rikonfirmon edhe një herë se SHBA-ja ka qenë dhe është aleati më i madh historik i Shqipërisë, theksoi se akte të tilla mbështesin dhe inkurajojnë proceset demokratike në Shqipëri në drejtim të realizimit të aspiratave integruese euroatlantike të popullit shqiptar. Presidenti Topi vlerësoi lart gjithashtu ndihmesën e vazhdueshme dhe gatishmërinë e Presidentit Xhorxh Ë. Bush, të SHBA-së dhe administratës amerikane për të ndihmuar në proceset reformuese të sistemit të drejtësi në Shqipëri, të ruajtjes dhe konsolidimit të institucioneve të pavarura dhe kryerjes së reformave të gjithanshme si ajo në sistemin zgjedhor, ekonomike etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›