Prifti: Qeveria, plan masash nëse rritet çmimi
Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës reagon pas tryezës së zhvilluar nga opozita
TIRANË- Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti reagoi dje pas tryezës së zhvilluar nga Partia Socialiste, lidhur me situatën energjetike në vend dhe pasojat sociale, që ajo sjell. Sipas Priftit, ky është një vendim që e merr vetëm Enti Rregullator i Energjisë, që është një institucion i pavarur nga qeveria. "Nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike qeveria shqiptare ka caktuar si kontigjencë në buxhetin e shtetit për vitin 2010, 2 miliardë lekë si subvencion për familjet në nevojë për të kompensuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike", - tha ai.
Për sa i përket shitjes së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes tek çekët e CEZ-it, ai tha se ky privatizim ishte një nga më të suksesshmit që ka bërë qeveria. Gjatë fjalës së tij, Prifti përmendi edhe deklaratat e tij kundër këtij privatizimi, duke theksuar se ato ishin bërë në një periudhe kur nuk kishte informacionin e duhur për këtë çështje. "Unë kam qenë kritik kur kam qenë në opozitë për proçesin e privatizimit të OSSH-së për shkak se nuk kisha informacionin e nevojshëm. Tani që jam ne krye të METE-s e kam atë dhe mund të them që ky privatizim është një nga më të mirët që ka bërë kjo qeveri", - tha Prifti.
Duke theksuar se megjithëse ka pak muaj që menaxhon OSSH-në, kompania CEZ ka kryer një sërë investimesh në këtë sektor, dhe se me privatizimin e këtij operatori nga buxheti i shtetit kanë shpëtuar disa dhjetëra miliona euro. "Menaxhimi i mirë i kompanisë CEZ, solli si rezultat uljen e humbjeve me rreth 3 % në rrjet, ndërkohë që është rritur ndjeshëm edhe vlera e arkëtimeve. CEZ ka kryer rreth 60 milionë euro investime në të gjithë vendin" -tha ai.