Tryeza, Rama: Shteti dështoi me energjinë
Partia Socialiste organizon tryezë me ekspertë për gjendjen e energjisë në vend
TIRANË- Partia Socialiste zhvilloi dje një tryezë me ekspertë të saj, por edhe të pavarur, mbi energjinë, rritjen e çmimit dhe efektin social, që ajo sjell. Gjatë fjalës së tij, kryetari i PS-së, Edi Rama, theksoi se, furnizimi me energji në gjithë vitet e tranzicionit mund të cilësohet si një nga dështimet e shtetit. Rama ka renditur një sërë argumentesh, që flasin për dështimin e shtetit në furnizimin me energji të popullatës. "Shteti ka dështuar në garantimin e një niveli të arsyeshëm të pavarësisë energjetike të vendit. Shteti ka dështuar në rritjen e burimeve energjetike të vendit. Shteti ka dështuar në rritjen e kapaciteteve transmetuese të energjisë elektrike në vend. Shteti ka dështuar në integrimin e sistemit tonë energjetik me atë të rajonit. Shteti ka dështuar në menaxhimin e sistemit energjetik.
Ka dështuar në transparencën e prokurimeve për energjinë. Ka dështuar në asgjësimin e lidhjeve të paligjshme dhe në evidentimin e dënimin e grabitësve të energjisë elektrike", - tha Rama. Kryetari i opozitës kujtoi gjatë fjalës së tij se prej disa javësh të tre operatorët që realizojnë furnizimin me energji elektrike kanë kërkuar rritje të çmimit të pjesës që kanë në administrimin. "Të tre kërkesat do të ndikojnë në çmimin me pakicë. Përveç shpërndarjes, prodhimit dhe transmetimit janë nën administrim publik. Të dy operatorët publikë së bashku, kanë kërkuar të rrisin më shumë se 50 % pjesën e tyre të çmimit. Kjo është edhe arsyeja e hapjes së këtij debati mbi çmimin e energjisë dhe efektet sociale të rritjes së tij, që Partia Socialiste inicion sot e do të vijojë në javët e muajt në vazhdim", tha Rama.
Kryetari i opozitës shtoi se, për secilën nga 230 mijë familje pensionistësh fatura e energjisë elektrike është 10 % e pensionit mujor. "Për secilin nga 110 mijë personat me aftësi të kufizuar fatura e energjisë elektrike është 20 % e përfitimit mujor. Për secilin nga 9 mijë të papunët në pagesë papunësie fatura energjisë elektrike është 30 % e përfitimit mujor. Për secilën nga 90 mijë familjet me ndihmë ekonomike fatura e energjisë elektrike është 50 % e përfitimit mujor", - shtoi Rama. Të njëjtin shqetësim paraqiten dje edhe ekspertët e tjerë të PS-së.