E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria mbyll dosjen e 14 shtatorit, kryengritja pa autorë

TIRANË- Pas 11 vitesh maratonë gjyqësore Prokuroria vendosi arkivimin "kryengritjes" së 14 shtatorit 1998, duke e cilësuar ngjarjen si një krim i zakonshëm, "vjedhje me armë" e mbetur, pa autor. Mungesa e këtyre autorëve, sipas prokurorisë, ka bërë që dosja penale me 25 të pandehur shqiptarë dhe tre ish-agjentëve të shërbimeve sekrete jugosllave të pushohet e dhe të pezullohet për mungesë provash. Lajmi konfirmohet nga burimet pranë organit të akuzës dhe zyrtarë të lartë të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet. Këtu 28 të pandehurit po gjykoheshin në tri dosje të ndara nga gjyqtarët Gjin Gjoni, Ilir Çeliku e Artan Broci.

Ky i fundit, ende ka dosjen përkatëse në duar dhe pritet të tërhiqet nga prokuroria. Pak muaj më parë, në kohën kur prokurori i çështjes duhej të lexonte konkluzionet përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj të pandehurve: Sali Lusha, Izet Haxhia, Dem Dollapi, Kliton Dobrani, Myftar Lumneshi dhe N.N.ish-agjenti jugosllav, që gjykoheshin nga gjyqtari Gjin Gjoni, përfaqësuesi i akuzës kërkoi tërheqjen e akteve hetimore me qëllim plotësimin e dosjes. Kjo kërkesë u miratua nga gjyqtari Gjoni.

Por vetëm pak ditë më parë, me firmën e kryeprokurorit të kryeqytetit, Gent Xholi, kjo dosje u arkivua përfundimisht. Nga burime zyrtare, mësohet se argumentimi i këtij veprimi, ka qenë se të gjashtë të pandehurit e dosjes së parë, nuk kanë kryer veprën penale të "Kryengritjes" në trazirat e 14 shtatorit 1998, në ditën e varrimit të deputetit Azem Hajdari. Nga rivlerësimi i kryer, ka rezultuar se ato veprime i përkisnin tri veprave të tjera penale, duke bërë që akuza ndaj tyre të riformulohej.

"Në analizën e provave dhe fakteve të grumbulluara që nga dita e ngjarjes e deri më tani, rezulton se ngjarja e 14 shtatorit 1998 nuk ka qenë një "kryengritje", pasi të akuzuarit nuk kishin si qëllim të tyre cënimin e Rendit Kushtetues, por vetëm zëvendësimin e qeverisë me një qeveri teknike deri në zgjedhjet e parakohshme"-thuhet në dosje. Më tej në të cilësohet se "kryengritja", duhet të kishte një plan veprimi, organizatorë, etj.

Për këto fakte dhe prova, sipas akuzës, është konstatuar se asnjëri nga të pandehurit nuk ka kryer veprën penale të "Kryengritjes", por, "vepra të dhunshme ndaj pasurisë"; "krijimit të turmave të armatosura" dhe "vjedhjes me armë". Për këtë rikualifikim ligjor janë përdorur, sipas akuzës, kërkesat e drejtuara ish- Presidentit të Republikës, Rexhep Meidani, ku i kërkohej zëvendësimi i qeverisë dhe jo të cenohen institucionet e pavarura shtetërore. "Nga analizimi i provave dhe fakteve është provuar se të pandehurit Sali Lusha, Izet Haxhia dhe Dem Dollapi kanë kryer veprën penale të "Krijimi i turmave të armatosura", për të cilën nuk mund të akuzohen pas 11 vitesh, pasi vepra është parashkruar (ka kaluar mbi 10 vjet, sa parashikon ligji dënimin). Edhe për akuzën e "Veprave të dhunshme ndaj pasurisë", me ndryshimet e Kodit Penal në vitin 2007, nuk ekziston më pasi dhe ligji nuk ka prapaveprim. Kështu akuzat ndaj tyre pushohen automatikisht.

Për të pandehurit Kliton Dobrani, Myftar Lumneshi dhe ish-agjenti jugosllav me inicialet N.N, organi i akuzës nuk arrin të provojë akuzat ndaj tyre",-thuhet në dosjen e pushuar. Në analizë të provave dhe fakteve, sipas prokurorisë, arsyetimi i vetëm ligjor që mbetet për ngjarjen e 14 shtatorit 1998 është ajo e "vjedhjes me armë". Për këtë krim, nuk mund të identifikohen personat që kanë kryer vjedhjet gjatë këtyre trazirave në Gardën e Republikës, Kryeministri, Radio Televizionin Shqiptar e institucione tjera.


Tërhiqen aktet edhe për të akuzuarit e dosjes II

Vetë drejtuesi i prokurorisë së kryeqytetit, prokurori Genti Xholi, me një urdhër të kryeprokurores Ina Rama, është caktuar si përfaqësues i akuzës në dy dosjet e tjera penale që gjykohen pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me gjyqtarët Artan Brocin dhe Ilir Çeliku. Ky i fundit, që nga marsi i vitit 1999 e deri në ditën e djeshme, kishte në dorë dosjen penale ndaj të pandehurve: Alfons Zeneli, Antoneta Malaj, Dritan Zhgjeçi, Edmond Ymeri, Elvis Kamberi, Ekrem Spahia, Frrok Gjini, Ilir Zhilla, Sali Shehu, Shemsi Prençi dhe N.N.ish-agjenti Jugosllavë edhe këta të akuzuar për ngjarjen e 14 shtatorit 1998. Por, në seancën e djeshme gjyqësore, ishte prokurori Xholi i cili kërkoi nga gjyqtari Çeliku që të pranojë kërkesën e tyre për tërheqje të akteve, me arsyetimin e riformulimit të veprës penale për të cilën akuzohen "Kryengritje". Gjyqtari Çeliku, pasi dëgjoi kërkesën e prokurorit Xholi që citoi edhe dosjen e parë që tashmë është pushuar, vendosi të pranojë kërkesën duke vendosur përfundimisht kalimin e akteve hetimore në prokurori. Gjithashtu, mësohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës se edhe dosja penale me 11 këta të pandehurit të përfundojë në arkiv si dosja penale me gjashtë të pandehurit për të cilët është pushuar akuza tashmë. Po këto burime, konfirmuan se të njëjtin fat ligjor pritet të kenë edhe të pandehurit e dosjes së tretë gjyqësore: Avni Metalija, Bajram Hidri, Bajram Martini, Cen Doçi, Gezim Qordja, Hysni Gjyriqi, Muharrem Boshnjaku, Qamil Byberi, Sokol Gashi, Uk Celkola dhe N.N. ish-agjent Jugosllavë, që gjykohen nga gjyqtari Artan Broci.


"14 shtatori", revolta e militantëve pas vrasjes së Hajdarit

TIRANË- Vrasja e deputetit Azem Hajdari mbrëmjen e 2 shtatorit 1998, në qendër të kryeqytetit vetëm pak metra nga selia e Partisë Demokratike, ngjalli tension të madh në vend, pasi opozita e atëhershme tashmë në pushtet akuzoi qeverinë e kohës si të përfshirë në këtë vrasje, duke akuzuar madje edhe kryeministrin e atëhershëm, Fatos Nano. Vetëm dy ditë më pas, në kohën që po dërgohej në varreza arkivoli që mbante brenda Azem Hajdarin, turma e irrituar fillon protestën masive duke u nisur në drejtim të kryeministrisë. Për pak minuta kjo ndërtesë u pushtua nga protestuesit që transformuan varrimin në një "grusht shteti" të asaj kohe, duke thyer, djegur e plaçkitur. Turma njerëzish pushtuan kryeministrinë, Radio Televizionin Shqiptar, dhe disa institucione tjera, duke kërkuar largimin e kryeministrit Fatos Nano nga qeveria dhe gjetjen e autorëve të vrasjes. Turmat e armatosura madje morën edhe disa prej tankeve të Gardës së Republikës, që kishin dalë për të vendosur rendin në Tiranë, pas pushtimit të institucioneve. Në rrethe të tjera të vendit, pllakosi një pasiguri që thuajse mund të shpërthente në çdo moment në dhunë. Në këtë kohë, një grup protestuesish morën blindat e gardës dhe tanket e ushtrisë duke dalë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" me armë në dorë duke kërkuar largimin e qeverisë së drejtuar nga Fatos Nano. Me 14 shtator 1998 një grup protestuesish i kërkuan Presidentit të Republikës së asaj kohe, Rexhep Meidani, të shkarkojë nga detyra kryeministrin Nano dhe të formohet një qeveri e përkohshme. Por, kjo gjë nuk u realizua dhe pas ca ditë gjendja u qetësua, duke u arrestuar një grup i madh personash të cilët më pas përfunduan në gjyq vetëm 28 prej tyre, të cilësuar si organizator të kësaj "Kryengritjeje".



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›