Prifti: Qeveria të rikthejë energjinë në Fier
Nënkryetari i LSI-së Dritan Prifti i kërkoi dje qeverisë të marrë masa për të rikthyer energjinë në komunat dhe qytetin e Fierit. Prifti deklaroi dje se LSI do të padisë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, për shkak se ky institucion ka ndërprerë energjinë për gjysmën e qytetit të Fierit dhe për disa komuna aty. Sipas tij, kjo ndërprerje është bërë për arsye të arkëtimeve të ulëta, ndërsa janë penalizuar për banorët që nuk paguajnë energjinë elektrike rreth 100 banorë të kësaj zone. Ai kërkoi nga qeveria të zgjidhet sa më parë kjo situatë, e cila zgjat që prej tre ditësh, pasi në rast të kundërt LSI dhe banorët që vuajnë kufizimet flagrante të energjisë, do të padisin OSSH-në. "Nëse ne do t'i bëjmë padi OSSH-së, të jeni të sigurt, ata që janë të interesuar për të blerë atë, kanë për t'u tërhequr", u shpreh Prifti. Sipas tij, për shkak të mungesës së energjisë, janë pa ujë rreth 8 komuna dhe bashki në qarkun e Fierit, është pa ujë Roskoveci, Kumani, Kurjani, Zharza, Levani, Frakulla, Topoja, një pjesë e qytetit të Fierit, komuna Dërmenas etj.