Trajnimi i administratës, jepen 30 certifikatat e para
Në kuadër të paketës spanjolle për trajnimin e administratës publike, përfundoi dje në Ministrinë e Integrimit seminari i parë njëjavor për shkëmbimin e përvojës spanjolle mbi menaxhimin e fondeve të tanishme IPA, atyre Strukturore si dhe të Kohezionit, me ekspertë shqiptarë nga institucionet qendrore dhe vendore, që merren drejtpërdrejtë me politikat financiare dhe të zhvillimit, ekspertë nga bashkitë e komunat, si dhe aktorë të tjerë të fushës. Temat kryesore të seminarit "menaxhimi i fondeve evropiane" ishin: Hartimi i projekt-fishave, hartimi i politikave të zhvillimit apo strategjive që nga faza e programimit, kuadrit logjistik, fazës vlerësuese, menaxhimit dhe konsultimit të projektit. Në ceremoninë e diplomimit që u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Integrimit, ministrja Bregu dhe ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Tiranë, u shpërndanë certifikatat 30 kursantëve të seminarit të parë në paketën spanjolle të trajnimit. "Kjo paketë përbëhet nga një sërë kursesh mbi çështjet e BE-së, të cilat do të zhvillohen gjatë periudhës shtator - dhjetor 2008 në kuadër të ngritjes së kapaciteteve administrative, si rezultat i bashkëpunimit të Ministrisë së Integrimit me Ambasadën Spanjolle në Shqipëri, Drejtorinë e Shtetit për Bashkimin Evropian dhe Shkollën Diplomatike Spanjolle", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Ministrisë së Integrimit.