Rama: Papunësia zgjidhet me arsimin
Kreu i PS-së, Edi Rama, ka vazhduar fazën e dytë të "Dialogut me Shqipërinë", duke bashkëbiseduar me qytetarët e Durrësit dhe Korçës. Rama e quajti të patolerueshme situatën e arsimit në Durrës, ku në shkallë qarku 84% e mësuesve janë me shkollë të mesme. Kryetari i Partisë Socialiste u shpreh se forca politike që ai drejton do t'i japë ndryshim të ri sistemit arsimor në Shqipëri, duke bërë të mundur punësimin përmes arsimit të duhur. Disa të dhëna që i kemi mbledhur në fazën e parë të "Dialogut me Shqipërinë", tha Rama, që ka qenë pjesa e konstatimit të problemeve do na ndihmojnë që ne pa dyshim të gjejmë rrugën për të dalë, në mënyrë që situata të përmirësohet dhe shifrat e faktet të ndryshojnë. Në të kundërt, kjo situatë, vetëm mund të agravohet. "Njëra nga të dhënat më shqetësuese sot në Shqipëri është papunësia, por për fat të keq politika asnjëherë nuk e ka parë seriozisht të lidhur me arsimin. Nuk e ka parë asnjëherë të lidhur problemin e të nesërmes së atyre që sot janë në bankat e shkollës apo në auditorët e universitetit, si një problem që nuk mund të zgjidhet drejt në rast se sot jo vetëm nuk përgatitet për t'u zgjidhur, por agravohet", u shpreh Rama.